Rusi, parlamenti miratoi Dmitry Medvedev si kryeministër
Dhoma e Ulët e Parlamentit rus Duma ka miratuar Dmitry Medvedev në detyrën e kryeministrit të Rusisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në votimin e zhvilluar në Duma për Medvedev-in i cili ishte propozuar si kandidati për kryeministër nga presidendi i Rusisë Vladimir Putin morën pjesë 430 deputetë. Bëhet e ditur se në votimin e zhvillur Medvedev ka marrë mbështetjen e 374 deputetëve ndërsa 56 prej tyre kanë votuar kundër.
Medvedev është mbështetur nga Partia “Rusia e Bashkuar” e presidentit Putin dhe Partia Liberal Demokrate e Rusisë, ndërsa është kundërshtuar nga partia “Rusia e Drejtë” dhe Partia Komuniste e Federatës së Rusisë.
Presidenti Putin i cili ka ndjekur nga salla seancën e votimit, në një fjalim ka thënë se Medvedev ka qeverisur vendin në vite të vështira.
Medvedev i aprovuar në postin e kryeministrit pritet që brenda një jave të përcaktojë ministrat dhe t’i paraqesë për miratim presidentit Putin.