Rama për Taksën e Rrugës së Kombit, : Gabuam! Po studiojmë formulën e re
Kryeministri Edi Rama u pyet edhe për vendimin e taksimit të Rrugës së Kombit i ftuar në Top Show, që solli pasoja të papritura për qeverinë e tij.
Ai mohoi që ky vendim të ishte shenjë e arrogancës së qeverisë, por pranoi se kishin gabuar, duke u nisur nga qëllime të mira.
“Kjo është një çështje komplekse, por që nuk kemi të bëjmë me arrogancë. Bëhet fjalë për një gabim total tonin, që erdhi pasi u nisëm nga një qëllim i mirë. Ne gabuam pasi ajo kontratë ishte bërë dy vite më parë dhe erdhi për t’u implementuar në një moment kur nuk ishim të përgatitur as ne dhe as komuniteti. Ishte një risi në Shqipëri dhe ne gabuam strategjinë për ta prezantuar dhe impelemntuar ashtu si duhet”, deklaroi Rama.
Sa i përket fatit të mëtejshëm të Rrugës së Kombit dhe kontratës me koncesionarin, kryeministri Rama tha se qeveria po studion një opsion të ri të funksionimit të sistemit të taksimit në atë aks.
“Që të mos gabosh është e pamundur, por ka një ndryshim mes gabimit padashje dhe atij që bëhet për qëllime të caktuara. Gjithsesi është me rëndësi që të nxjerrim mësime nga ky gabim dhe të tjerë, për të mos i përsëritur më në të ardhmen. Në rastin konkret, ne do të japim një opsion të ri të funksionimit të taksimit të asaj rruge. Jemi duke studiuar formën e duhur dhe të përballueshme nga qytetarët, por taksimi është i pashmangshëm, pasi është një rrugë që nuk mund të mirëmbahet ndryshe”, deklaroi Rama.