AktualitetPolitikëTë fundit

Konservatorët përballë liberalëve

Duke qenë se midis njerëzve të paedukuar me idetë politike dhe pikëpamjet e mundëshme të zhvillimit të jetës politike, ekonomike dhe sociale në vend, ka një amalgamë idesh të papërcktuara, dhe duke parë se klasa politike në vend është e papjekur për të ndarë pikëpamjet në mënyrë që qytetarët të bëjnë zgjedhje më të sakta dhe më të mira kur kemi votime, si për pushtetin qendror ashtu dhe për atë vendor, e shikoj të arsyeshme që të sjell këtë artikull në lidhje me dallimet kryesore midis pikëpamjeve konservatore dhe atyre liberale.

Të gjithë njerëzit duan liri në jetë, sa më shumë shanse për prosperitet, sa më pak njerëz të vuajnë, sa më shumë fëmijë të shëndetshëm, sa më shumë punë, sa më shumë para, rruga pa kriminelë, sa më shumë produkte dhe shërbime me çmime të pranueshme, e të tjera si këto, por çështja është – si dhe sa mund t’i arrijmë këto?

Liberalët besojnë në veprimet e qeverisë për të arritur në mundësi dhe shanse të barabarta dhe barazi për të tërë. Sipas tyre, është detyrë e qeverive që të eliminojnë sëmundjet sociale dhe të mbrojnë liritë civile dhe të drejtat e njeriut.

Liberalët besojnë se roli i qeverisë duhet të jetë garantimi i asaj se askush nuk do ketë nëvoje për gjërat elementare të jetës dhe ekzistencës. Politikat liberale në përgjithësi fokusohen në nevojën e qeverisë për të zgjidhur problemet.

Liberalët e pranojnë abortin sepse sipas tyre fetusi nuk ka të drejta. Ata nuk janë për dënimin me vdekje.

Në lidhje me ekonominë liberalët mendojnë se është qeveria ajo që rregullon më mirë tregjet. Sipas tyre ajo duhet që të mbrojë qytetarët nga dëshira për pasuri dhe biznesi i madh.

Qeverisjet liberale janë të motivuara nga interesi publik dhe janë qeveritë ato që rregullojnë të tëra fushat e ekonomisë.

Në lidhje me shkollimin liberalët mendojnë se edukimi publik është opsioni më i mirë për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve.

Në lidhje me energjinë liberalët mbështesin kontrollin e qeverisë mbi këtë burim dhe tregun e burimeve energjetike.

Liberalët janë për legalizimin e eutanazisë.

Në lidhje me shëndetësinë liberalët mbështesin zhvillimin e këtij sektori në kuadrin e politikave publike dhe me kosto të ulët, por për të gjithë njësoj mbi baza të barabarta.

Konservatorët besojnë në përgjegjësitë personale, në rolin e kufizuar të qeverisjes, tregun e lirë, lirinë individuale, traditat e popullit dhe një mbrojtje të fortë kombëtare, rend të fuqishëm publik dhe shërbim sekret profesional.

Konservatorët besojnë se roli i qeverisë është që t’u japë qytetarëve lirinë e nevojshme për të ndjekur dhe arritur synimet e tyre.

Politikat konservatore në përgjithësi fokusohen në fuqizimin e individit në mënyrë që ai të arrijë të zgjidhë vetë problemet individuale dhe në këtë mënyrë shoqëria arrin të përmirësojë cilësinë e jetës. Konservatorët nuk e pranojë abortin pasi sipas tyre fetusi ka të drejta, që i fiton nëse lind i gjallë.

Sipas konsevtatorëve individët duhet që të fitojnë shkollën dhe vendin e punës sipas aftësive të tyre individuale. Sipas tyre është e pandershme që të përdoret rraca si factor suksesi në procesin e përzgjedhjes.

Konservatorët mendojnë se dënimi me vdekje është i nevojshëm sepse ky është dënimi më i përshtatshëm për atë që i merr jetën një të pafajshmi.

Në lidhje me ekonominë, konservatorët mendojnë se tregu i lirë, kapitalizmi konkurrues dhe sipërmarrja private krijojnë mundësitë më të mëdha dhe më të mira për përmirësimin e cilësisë së jetës së tërë qytetarëve dhe në përmirësimin e standardeve të jetës për të gjithë. Sipas konservatorëve, tregu i lirë është ai që prodhon më shumë rritje ekonomike, më shumë punësim dhe standarde më të mira se sa qasja me shumë rregullime qeveritare shtypëse.

Në lidhje me shkollimin konservatorët mendojnë se për ata që nuk kanë mundësi shteti garanton shkollimin publik, ndërsa për të tjerët, edukimi privat mund të jetë më i përshtatshëm, mbi bazën e konkurrencës midis dy sektorëve.

Në lidhje me energjinë konservatorët mendojnë se konkurrenca e lirë shton ofertën për energji. Konservatorët nuk janë për eutanazinë, por për përpjekjet që duhet të bëjë njeriu, familja dhe shkenca për të mbajtur në jetë pacientin, deri sa të jetë e mundur.

Në lidhje me shëndetsinë konservatorët mendojnë se tregu i lirë është një zgjidhje shumë e mirë, sepse i jep mundësi sektorit privat dhe publik që të konkurrojnë, duke garantuar shërbim për të tërë sipas mundësive dhe mbështetje për ata që janë të paprivilegjuar nga ana ekonomike.

Ka edhe ndryshime të tjera, por këto janë kryesoret.

Tashmë varet se me kë jeni, me liberalët apo me konsevatorët?

Megjithëse në Shqipëri është e vështirë të zgjedhësh, sepse pikëpamjet liberale dhe konservatorë janë bërë lëmsh në këtë vend që nuk e ka ende luksin të zgjedhë midis konkurrentëve në drejtimin politik të vendit, por midis të ngjashmëve./ Dr. Enriko Ceko/Gazeta Ekonomia

 

Opinioni i shprehur është vetëm i autorit dhe jo domosdoshmërish të  Fraksion.com