Çmimet e ujit dhe ushqimeve çojnë inflacionin e prillit në 2.1%
Rritja e përgjithshme e çmimeve shënoi 2.1 për qind në muajin prill. Ky ishte ritmi më i lartë i rritjes që nga qershori 2017. Sipas të dhënave të INSTAT ndryshimi u nxit nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe ujit.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin prill është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,2 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,52 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me +0,12 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Transporti” kanë kontribuar me +0,06 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Argëtim dhe kulturë”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,03 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje.
Krahasuar me muajin Prill 2017, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 3,4 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,1 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,7 %, “Transporti” me 1,0 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,9 %, “Argëtim dhe kulturë” me 0,8 %, “Komunikimi” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,6 % secili, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 11,7 %, pasuar nga nëngrupet “fruta” me 9,9 %, “peshk” me 2,7 %, etj.
Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “kafe, çaj dhe kakao” u ulën me 1,6 % pasuar nga “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” me 0,7 %. Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Mars 2018, ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,4 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Mobilje, paisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Komunikimi” me 0,2 %. Ndërsa, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” shënuan një rritje prej 1,7 %, pasuar nga grupet “Transporti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 per qind.