AktualitetBota+Të fundit

Vladimir Putin: Të zgjidhim urgjent detyrat e brendshme

Rreth 5.000 të ftuar morën pjesë në ceremoninë luksoze në një sallë të zbukuruar të Kremlinit.

Ai ka qenë në pushtet për 18 vjet, si president dhe kryeministër, dhe kundërshtarët e kanë krahasuar qëndrimin e tij me sundimin e një caristi apo perandori.

TV ruse tregoi  Putin, 65 vjeç, duke lënë zyrën e tij të Kremlinit dhe duke ecur në ceremoni, në korridoret e  gjata.

Vladimir Putin, u betua të hënën në fillim të mandatit të tij të katërt si president i Rusisë, duke u zotuar se do të ndjekë një agjendë ekonomike, që do të përmirësojë standardin e jetesës gjithandej vendit.

Në një ceremoni në një sallë të stolisur të Kremlinit, ai tha se përmirësimi i ekonomisë së Rusisë pas një rënieje pjesërisht të lidhur me sanksionet ndërkombëtare, do të jetë synimi parësor i mandatit të ri gjashtëvjeçar.

“Tani duhet të përdorim të gjitha mundësitë ekzistuese, para së gjithash për zgjidhjen e detyrave të brendshme urgjente të zhvillimit, për përparimin ekonomik dhe teknologjik, për ngritjen e konkurrencës në ato fusha që përcaktojnë të ardhmen”, tha ai në fjalimin e tij para mijëra mysafirëve në sallën Andreevsky të Pallatit të Madh të Kremlinit dhe dy salla aty pranë.

“Një cilësi e re e jetës, mirëqenies, sigurisë dhe shëndetit të njerëzve – kjo është parësore sot”, tha ai.

Megjithëse Putini ka rimëkëmbur peshën e Rusisë në skenën botërore përmes veprimeve ushtarake, ai është kritikuar për përpjekje të papërshtatshme për të çliruar ekonominë e Rusisë nga varësia e saj nga eksportet e naftës dhe gazit dhe për të zhvilluar sektorin e prodhimit.

Ai siguroi mandatin e ri në zgjedhjet e muajit mars në të cilat fitoi me 77 për qind të votave.

Vladimir Putin është realisht udhëheqës i Rusisë përgjatë tërë kësaj periudhë të shekullit 21. Ai u largua nga presidenca në vitin 2008 për shkak të kufizimeve të mandatit, por u emërua kryeministër dhe vazhdoi të drejtojë vendin derisa u kthye në postin e presidentit në vitin 2012.

Ai nuk mund të zgjidhet më si president, nëse nuk bëhen ndryshime në kushtetutën ruse e cila ndalon ushtrimin e më shumë se mandateve radhazi.

Vladimir Putin, aneksoi Krimenë nga Ukraina gjatë mandatit të kaluar dhe u vu në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në fushatën ushtarake në Siri.

Në zgjedhjet e marsit ai fitoi kundrejt sfiduesve të dobët në një proces që u kritikua nga vëzhguesit.

Përurimi i tij u bë vetëm dy ditë pas demonstratave gjithandej vendit në kundërshtim të mandatit të ri të ish shefit të KGB-së.

Të shtunën, udhëheqësi i opozitës, Alexei Navalny, u arrestua pak minuta pasi arriti në demonstrata në qendër të Moskës. Alexei Navalny dhe qindra mbështetës të tij u arrestuan gjatë demonstratave në Moskë dhe 90 qytete të tjera. Navalny u lirua të dielën./VOA