Vetingu: Në rrezik një tjetër anëtar i Kushtetueses
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, rrezikon shkarkimin nga detyra, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u shpreh sot për mospërputhje mes pasurisë së deklaruar dhe të ardhurave të krijuara ndër vite.
Komisioni deklaroi se se nga verifikimet e bëra, rezulton se gjyqtari nuk justifikon një pjesë të parave me të cilën ai ka blerë të vetmen pasuri të patundshme që zotëron, një apartament në Tiranë me vlerë 140 mijë euro. Gykatësi ka marrë një kredi të butë, si dhe dy hua nga kunati dhe një mik i tij, por sipas komisionit nuk justifikohet burimi i një shume prej 1.7 milion lekësh, që sipas avokatit të tij, janë grumbulluar nga shitja e orendive të shtëpisë në Shkodër ku ai ka banuar përpara se të emërohej në gjykatën Kushtetuese, si dhe një tjetër shumë prej 275 mijë lekësh, e cila po sipas avokatit është mbledhur nga dhuratat në para gjatë dasmës së tij.
Ndaj gjyqtarit Hoxha nuk ka patur pretendime për lidhje të papërshtatshme, ndërkohë që sa i përket aktivitetit profesional, janë gjetur raste të arsyetimit me vonesë të vendimeve gjyqësore.
Vendimi për të pritet të merret pas tre ditësh. Hoxha është anëtari i katërt i Gjykatës Kushtetuese i cili i nënshtrohet procesit të rivlerësimit. Deri më tani vetëm gjyqtarja Vitore Tushe, është vlerësuar pozitivisht, ndërsa dy të tjerë janë shkarkuar.