Rama: Nis puna për Rrugën e Arbrit, pa borxhe dhe gropa financiare
Në fushatën e qeverisë për llogaridhënie publike në Lezhë, kryeministri Rama u shpreh se brenda pak javësh në kantierin e Rrugës së Arbrit do të nisë puna.
“Do të fillojë puna dhe nuk do të ndalojë më në këtë rrugë. Do të vazhdojmë edhe me disa investime në jug. Ama pa borxhe dhe pa gropa financiare. Çdo rrugë do të fillojë dhe do të mbarojë. Kjo do të rrisë punësimin dhe ekonominë, do të ketë një impakt mjaft të rëndësishëm në ekonomi”, tha Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu edhe për nisjen e punës për rrugën Milot-Balldren, për të cilën tha se do të jetë një rrugë që do të përmbushë standardet ndërkombëtare.
Pasi deklaroi nisjen e punëve në rrugët e sipërpërmendura, Rama përmendi edhe njëherë aeroportin e Vlorës dhe atë të Kukësit, duke thënë se brenda këtij mandati shqiptarët do të kenë tre aeroporte. Ndërtimin e këtyre aeroporteve, Rama e komentoi si strategji ndihmuese ndaj uljes së tarifave.