AktualitetRajoniTë fundit

Negociatat: Holanda skeptike; Parlamenti do të vendosë

Holanda është në listën e vendeve skeptike për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Një delegacion nga Holanda ka mbërritur sot në Tiranë për të parë ecurinë e reformave të ndërmarra deri tani në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.

Delegacioni i cili përbëhet nga një grup deputetësh është takuar me kryeministrin Edi Rama. Më pas ata janë takuar me kreun e PD-së Lulzim Basha dhe deputeten Jorida Tabaku.

Në një prononcim për mediat pas takimit me Ramën dhe Bashën, ata u shprehën se Shqipëria ende nuk është gati për hapjen e negociatave për integrimin në BE. Deputeti Pieter Omtzigt nga partia Kristian Demokrate u shpreh nuk mjafton vetëm ajo që është bërë, ndërsa kërkuan që zyrtarët e korruptuar të cdo niveli të dalin para drejtësisë. Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputetët ishin edhe kriminaliteti shqiptar në Holandë, që sipas tyre është rritur në vitet e fundit.

”Zhvilluam një takim me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe shoqërinë civile. Po shikojmë nëse janë plotësuar kushtet, ndërsa në fund është parlamenti që vendos, pavarësisht qëndrimit të qeverisë. Zyrtarët e korruptuar duhet të vendosen para drejtësisë, ndërsa shqetësim mbetet kriminaliteti shqiptar në Holandë”.

Gjermania, Franca dhe Holanda janë tre vendet skeptike për hapjen e negociatave në fund të qershorit. KE vendosi që të rekomandojë hapjen e negociatave në 17 prill, por deri në fund të qershorit qeveria shqiptare duhet të lobojë fuqishëm për të bindur vendet skeptike që të thonë ”PO”.