AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Nacionalistët serbë kërkojnë referendum për Kosovën

Nacionalistët serbë, të shqetësuar për bisedimet për marrëveshje ligjore me Kosovën, kanë nisur një fushatë për referendum mbi çështjen mes të cilës shpresojnë që do bllokojnë çdo manovër të tillë.

Nacionalistët serbë, duke iu kundërvënë marrëveshjes me Kosovën, kanë përhapur thirrje për referendum, të quajtur ‘’Iniciativa e Popullit për t’u ngritur për Kosovën’’.

Ata që qëndrojnë pas iniciativës duan të bllokojnë çdo manovër drejt një marrëveshjeje të detyruar ligjore mes Serbisë dhe ish-provincës së saj.

‘’Është e domosdoshme të ushtrohet presion shoqëror dhe të pengohet nënshkrimi i së ashtuquajturës ‘marrëveshje e detyruar ligjore’, që do të thotë heqje dorë nga Kosova dhe Metohija’’, i tha BIRN-it, Mladen Obradoviq, një nga përfaqësuesit e iniciativës.

Ai shtoi se ideja është ende në fazën e rritjes së mbështetjes, pas së cilës do fillojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve.

Qëllimi, tha ai, është të mblidhen 100,000 nënshkrime, pas së cilës iniciativa për referendum do të paraqitet në parlament, i cili më pas do të detyrohet të thërrasë një referendum.

Obradoviq është themeluesi i Obraz (Nder) – një organizatë e të djathtës ekstreme e cila ishte ndaluar në 2012 mbi bazën se kishte për qëllim përmbysjen e dhunshme të rendit kushtetues dhe nxitjen e urrejtjes kombëtare, fetare dhe etnike.

Megjithatë Obradoviq pretendonte që ‘’Ngrihu për Kosovën’’ është përhapur nga individë dhe jo nga Obraz dhe kjo ishte ‘’mbi të gjitha organizatat’’.

‘’Ne kemi mbështetjen e personave nga sfonde të ndryshme politike, madje edhe persona apolitikë, të gjithë ata të cilët duan të mbrojnë [pretendimet e Serbisë për] Kosovën dhe Metohinë’’ shtoi ai.

Presidenti Aleksandar Vuçiq ka deklaruar disa herë së fundmi se komuniteti ndërkombëtar kërkon një marrëveshje detyruese ligjore mes Beogradit dhe Prishtinës.

‘’Në qoftë se e nënshkruajmë këtë marrëveshje, do të marrim të gjitha garancitë dhe garancitë që marrim nga Berlini janë ato që u besoj më së shumti’’, tha Vuçiq më 27 shkurt pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Sipas uebfaqes së iniciativës, referendumi ka përfituar tashmë mbështetjen e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe, avokatëve, kompozitorëve, profesorëve, veteranëve të luftës, gazetarëve etj. ‘’Por mbështetja po rritet çdo ditë’’, shtoi Obradoviq.

Sipas uebfaqes, plani është të dorëzohen mbi 100 000 nënshkrime deri më 28 qershor, ditën e përvjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389, ditë kyçe në kalendarin serb.

‘’Tanimë kemi mundësinë të veprojmë … për mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë [të veprojmë] në përputhje me kushtetutën dhe me mjetet e zbatueshme ligjore’’, përfundoi ‘Iniciativa’

Kosova e shpalli pavarësinë në 2008, ndërsa Serbia ka thënë që asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën si shtetësi.

Shumë serbë e shohin ende Kosovën si zemra ose ‘’djepi’’ i shtetit mesjetar serb dhe ky vend është ende shtëpia e një minoriteti të vogël serb, të përqendruar në veri, në kufi me Serbinë.