AktualitetKosovaTë fundit

Ministrja Hoxha: Komisioni i BE-së në fillim të qershorit do t’i liberalizojë vizat Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.

Hoxha ka përsëritur qëndrimin e saj se Kosova ka përfunduar detyrat e saj dhe tani e gjithë puna i takon institucioneve të BE-së.

Ajo tha se nga komisioni që ka vlerësuar punën e institucioneve të Kosovës pret rekomandim pozitiv në fillim të qershorit për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.

Më tutje,ministrja Hoxha shtoi se e gjithë procedura për liberalizimin e vizave pritet të përfundojë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër.

“Nga fundi i javës, të enjten dhe të premten, ka qëndru Komisioni vlerësues i BE-së që ka pasë takime me ne. Ata kanë marrë, kanë mbledhur fakte se sa është bërë në luftimin e krimit dhe korrupsionit,  kriterit të fundit për liberalizim”.

“Ne besojmë që i kemi përfunduar detyrat tona dhe tani procesi është në procesin e vendimmarrjes të BE-së. Komisioni në fillim të qershorit besoj që do të dalë me rekomandim që Kosovës t’i liberalizohen vizat”.

“Besojmë që e gjithë kjo dinamikë e vendimmarrjes do të perfundojë që qytetarët të arrijnë të lëvizin të lirë deri në fund të këtij viti”.

Hoxha ka inkurajuar studentët e Mitrovicës që pavarësisht sfidave të mos dorëzohen në arritjen e qëllimeve të tyre, raporton EO.

“Ju do të jeni motori i shtytjes sonë ekonomike…. Ju do ta përfaqësoni të ardhmen në instanca ndërkombëtare dhe kjo është e mundur vetëm nëse ne të gjithë përkushtohemi drejt arsimit”.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha duke iu përgjigjur pyetjeve të studentëve ka folur edhe për marrëveshjen që Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë.

Ajo tha se vetë fakti që kërkesa për këtë marrëveshje është publike është një sukses i madh.

“Ka qenë një sukses i madh që deri tash është biseduar në takime të mbyllura që është nevojitur që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje ndërkombëtare, por është sukses i madh që tani është dokument publik. Është diçka e obligueshme në strategjinë për zgjerim”.

“Deri më tani ka qenë një sfidë, nuk po them se ka me qenë e lehtë ardhja e kësaj marrëveshje, por besoj dhe mendoj që ka ardhë koha që të tregojmë që jemi të pjekur politikisht”.