Kosovë: Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë fillon vlerësimin e aplikacioneve për subvencione
Për Programin e Pagesave Direkte 2018, për të cilin janë planifikuar 25 milionë euro, kanë aplikuar 28,139 fermer nga 37 komuna të Kosovës, me gjithsej 46,865 aplikacione për 58 kultura dhe veprimtari të ndryshme bujqësore.
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), Elhami Hajdari, ka thënë se menjëherë pas përfundimit të procesit të aplikimit dhe pranimit të aplikacioneve nga të gjitha komunat, Drejtoria e Pagesave Direkte në AZHB ka filluar me procesin e kontrollit administrativ.
“Deri më tani Drejtoria e Pagesave Direkte ka kryer kontrollin administrativ për mbi 4,500 aplikacione, ndërkaq procesi është duke vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve. Ndërkaq, për aplikacionet, për të cilat ka përfunduar kontrolli administrativ, tashmë inspektorët e agjencisë janë duke kryer edhe procesin e radhës, atë të kontrollit në terren, ku deri më tani janë përfunduar mbi 500 aplikacione, kryesisht për kulturën e grurit dhe për bletët”, ka thënë Hajdari.
Ai ka treguar se fermerët kanë pasur të drejtë aplikimi për më shumë se një kulturë bujqësore, prandaj edhe numri i aplikacioneve është më i madh.
Sa i përket procesit të vlerësimit, ai ka sqaruar se rëndësi i kanë dhënë procesit të kontrollit për kulturën e grurit, pasi që synojnë që të bëhet ekzekutimi i subvencioneve para fillimit të fushatës së korrje-shirjeve, me qëllim të lehtësimit të punës së fermerëve.
“Duhet të kemi parasysh që procesi i vlerësimit adminsitrativ dhe atij në terren në tërësi merr kohë, pasi që kemi numër të madh të aplikuesve e në anën tjetër, vazhdojmë të kemi numër të vogël të punëtorëve, të cilët e menaxhojnë në tërësi, si kontrollin administrativ, ashtu edhe kontrollin në terren”, shton Hajdari.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur dhe në serra, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidane të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit.
Po ashtu, subvencionim do të ketë edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht.
Për më shumë informata, lidhur me procesin vlerësues të Drejtorisë së Pagesave Direkte në AZHB, fermerët do të informohen përmes mesazhëve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së agjencisë. /Gazeta Ekonomia