AktualitetBota+Të fundit

Britania kërkon që Shtetet e Bashkuara të mos heqin dorë nga marrëveshja me Iranin

Sekretari i Jashtëm britanik, do të përpiqet të ndikojë tek administrata e presidentit Donald Trump, që të mos heqë dorë nga marrëveshja e arritur në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore për kufizimin e programit bërthamor iranian, në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve

Sekretari Boris Johnson takohet të hënën me nënpresidentin amerikan, Mike Pence dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, John Bolton.

“Partnerët britanik, amerikan dhe evropian janë gjithashtu të bashkuar në përpjekjet për të trajtuar sjelljen iraniane që e bën rajonin e Lindjes së Mesme më pak të sigurt – aktivitetet kibernetike, mbështetjen e tij për grupe si Hezbollahu, programin e rrezikshëm raketor dhe armatosjen e milicisë Houthit në Jemen “, tha sekretari Johnson para vizitës së tij.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kritik i shpeshtë i asaj që ai e quan marrëveshje të mangët, tha se do të vendosë deri më 12 maj nëse Uashingtoni do të vazhdojë t’i përmbahet marrëveshjes bërthamore.

Britania, Kina, Franca, Rusia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara negociuan marrëveshjen me Iranin midis pretendimeve se Irani po punonte për zhvillimin e armëve bërthamore. Irani vazhdimisht mohoi pretendimet e tilla. ndërsa ka theksuar se ka të drejtë të zhvillojë programin e raketave balistike për qëllime mbrojtjeje.

Presidenti iranian Hassan Rouhani tha të dielën gjatë një fjalimi të transmetuar në televizion që “nëse Shtetet e Bashkuara largohen nga marrëveshja, do të pendohen si kurrë më parë në histori”.

Ambasadori britanik në Shtetet e Bashkuara, Kim Darroch, tha të dielën në një intervistë me rrjetin CBS, se sekretari Johnson dhe presidenti Trump biseduan të shtunën në telefon për marrëveshjen bërthamore dhe se presidenti ende nuk e ka marrë vendimin e tij përfundimtar.

“Nuk është një marrëveshje e përkryer, asnjë marrëveshje nuk është kurrë e përsosur dhe presidenti është i shqetësuar me të drejtë për aktivitetet rajonale të Iranit, të cilat janë të dëmshme për sigurinë dhe qëndrueshmërinë “, tha ambasadori Darroch./VOA