AktualitetEkonomiTë fundit

Rruga e Kombit: Ulja e tarifave ndaj banorëve do të përballohet nga buxheti i shtetit

Qeveria, përfaqësia e banorëve të qarkut të Kukësit dhe kompania Albanian Highway Concession janë në negociata për rishikimin e kontratës së koncesionit të  Rrugës së Kombit, me synimin uljen e tarifave për banorët. Burimet pranë grupit negociator konfirmuan se, çdo ulje tarife do që do të dakordësohet në favor të banorëve do të përballohet nga buxheti i shtetit.

Burimet nga koncencionari pohojnë se, kompania ka përllogaritur kostot e mirëmbajtjes dhe investimeve me tarifat aktuale, ndaj çdo ndryshim me ulje do të kompensohet nga qeveria. Kjo zgjidhje është një praktikë normale përbotshme.

“Nëse qeveria vendos të mbrojë një grup të caktuar nga tarifat që rrjedhin nga kontratat e veta duhet të përballojë humbjet që rrjedhin nga fondet e buxhetit, nuk ka pse një biznes privat të marrë përsipër këtë rol. Kjo është praktikë e përbotshme” thanë burimet  nga kompania koncensionare.

Ekspertët nga Ministria e Transportit pohuan se negociatat me grupet e interesit janë në proces dhe ende nuk ka rezultate finale, por ato lanë të kuptohet se kostot nga ulja e çmimit për banorët e qarkut të Kukësit do të kompensohen nga arka e përbashkët e taksapaguesve shqiptare.

Në fund të muajit mars kur kompania nisi të aplikojë tarifat e koncesionit 5 euro për veturat dhe 22 euro për kamionët banorët e Kukësit duke kundërshtuar tarifat e larta dogjën sportelet e pagesës duke i nxjerrë ato jashtë funksionit.

Sakaq, Kryeministri i vendit Edi Rama është shprehur se, “nuk do ta fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë ndihmën më të mirë të mundshme për banorët e zonës. Është një punë e vështirë të parashikohet gjithçka përpara, pa pasur shifrat e 6 mujorit të parë, por ne ia detyrojmë këtë të gjithë njerëzve të asaj zone dhe duke bërë më të mirën e mundshme do të arrijmë të lehtësojmë barrën e tyre dhe ta bëjmë të funksionojë sistem” .

Në kontratën e koncensionit lidhja më të dhënat e trafikut nuk është publikuar. Sipas studimit të IFC –së që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës marsit 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5000 automjete në ditë. Supozohet se me hyrjen në fuqi të koncesionit lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera të shqiptarëve të cilat shkojnë në minimalisht 5 milionë euro ne vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro.

Por nëse trafiku do të jetë mbi kufirin e supozuar nga IFC 5000 automjete në ditë, kontrata parashikon që fitimet e koncesionarit të ndahen përgjysmë me qeverinë. Burimet pranë kompanisë koncensionare pohojnë se subvensioni shtesë nga qeveria  për banorët e Kukësit do të bëhet në kollonën e trafikut të munguar.