Rama rikonfirmon Veliajn: Së bashku do bëjmë më shumë për Tiranën
E ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk do ta rikonfirmonte kryebashkiakun e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme, shefi i qeverisë i ka dhënë sot një përgjigje domethënëse.
Duke shfrytëzuar inaugurimin e hapjes së segmentit të dytë të bulevardit të ri të Tiranës, kryeministri ka konfirmuar Veliajn si kandidat të Bashkisë së Tiranës në zgjedhjet lokale që mbahen vitin tjetër.
“Sëbashku me projektet e qeverisë për Tiranën sëbashku me një sërë projektesh që shpresojmë të financohen me partnerët, na jep mundësi që të themi jo vetëm në këtë mandat të kryetarit të bashkisë së Tiranës ne do të bëjmë shumë tepër se çfarë është bërë në shumë vite sëbashku, por në mandatin e ri qeverisës ne do të bëjmë me siguri me kryetarin e bashkisë dhe me bashkinë e Tiranës shumë më tepër se sa është bërë në këto tre vite të bashkisë së Tiranës”, theksoi Rama.
Duke vlerësuar transformimin që ka pësuar e gjithë kjo zonë ku po ndërtohet bulevardi i ri dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, Kryeministri vlerësoi përkushtimin e Bashkisë së Tiranës dhe të kryebashkiakut Veliaj.
“Sikur ky bulevard të ndërtohej me ritmet që përcaktuan ecurinë e tij në katër vitet para zgjedhjes së Erionit në krye të bashkisë do të duheshin 60 vjet për të arritur këtu ku jemi sot dhe mbase dhe 30 vjet të tjera për të shkuar aty ku faktikisht do të shkojmë deri në fund të vitit të ardhshëm. E gjitha kjo sepse kemi organizuar një punë të përbashkët.
Jemi koordinuar më së miri dhe është bërë e mundur sinergjia e të gjithë aktorëve dhe faktorëve ku padyshim mbetet e çmuar prania e Fondit të Abu Dabit”, nënvizoi Rama.