Policia ruse liron Navalnin pas protestave
Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny është liruar nga burgu dhe përballet me dy akuza. Navalny postoi sot një koment në Twitter ku njofton përkrahësit e tij se është liruar por përballet me akuzën për organizimin e një aktiviteti pa leje si dhe për rezistencë ndaj policisë.
Navalny u arrestua dje në Sheshin Pushkin të Moskës, gjatë protestave që shoqëruan ceremonitë e inaugurimit të Vladimir Putinit për një mandat të katërt presidencial.
Mbi 1300 protestues u arrestuan në të gjithë Rusinë.
Policia ndaloi për pak orë edhe gazetarin Aleksei Aleksandrov, i cili punon për një emision lajmesh që realizohet në bashkëpunim mes Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë/ Radio Liria. Ai njofton se policia po godiste me shkelma e po shtynte gazetarët. Ai thotë se nuk ka parë në protesta të mëparshme të udhëhequra nga Navalny një reagim kaq agresiv nga policia.