AktualitetPolitikëTë fundit

Përballë Vetingut: Fatmir Hoxha, anëtar i pestë i Gjykatës Kushtetuese

Gjyqtari Fatmir Hoxha është anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese që përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e tij nga viti 2003 deri në vitin 2017.

Fatmir Hoxha, anëtar i Gjykatës Kushtetuese prej vitit 2011 do të përballet të hënën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Hoxha është gjyqtari i pestë i Kushtetueses që përfshihet në procesin e vetingut, pas Besnik Ymerajt, Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt.

Ymeraj dha dorëheqjen nga sistemi gjyqësor, por u referua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Prokurori, Fatos Lulo dhe Altina Xhoxhaj u shkarkuan nga detyra, ndërsa Vitore Tusha është e vetmja e konfirmuar në detyrë deri më tani.

Fatmir Hoxha është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë së Universitetit të Tiranës në vitin 1991 dhe e ka filluar karrierën në gjyqësor në vitin 1993 si kryetar i Gjykatës së Pukës. Në vitet 1996-1998 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Apelin e Tiranës, ndërsa në vitet 2003-2008 ka mbajtur pozicionin e kryetarit në Gjykatën e Apelit të Shkodrës.

Prej qershorit të vitit 2011, Hoxha ushtron detyrën si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike që paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Fatmir Hoxha i përket  vitit 2003, kur ka deklaruar pasurinë për herë të parë e deri në vitin 2017.