Havaji: Vullkani vazhdon të nxjerrë llavë
Banorët në Ishullin e Madh të Havajit janë në gjendje emergjence pasi vullkani Kilauea nxori përsëri llavë, duke bërë të nevojshme evakuime të reja.
Agjencia e lajmeve Associated Press njofton se të paktën pesë shtëpi janë shkatërruar nga llava. Vëzhguesi i Aktivitetit Vullkanik në Havaji paralajmëroi dje se “tymi nga shtëpitë që digjen dhe nga asfalti i shkrirë nga nxehtësia janë shndërruar në shqetësim për shëndetin e banorëve”.
Nuk ka pasur njoftime për të lënduar. Por të premten autoritetet njoftuan një shtim të gazit sulfurik që mund të shkaktojë probleme për të moshuarit apo për personat me probleme frymarrjeje.
Pamjet e xhiruara nga dronët tregojnë çarje në tokë ku duket llava e shkrirë, e cila i ngjan një lumi që gjarpëron përmes zonave të pyllëzuara./VOA