Erdogani: Do të vazhdojmë betejën kundër milicisë kurde
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan u betua të dielën se do të ndërmarrë një ofensivë të re kundër militantëve kurdë që veprojnë në zonën kufitare me Sirinë dhe Irakun.
Turqia ka kryer më parë dy operacione kundër milicisë kurde YPG që Ankaraja e konsideron si organizatë e lidhur me luftëtarë kurdë me të cilët përleshet prej dekadash qeveria turke për kontroll në pjesën juglindore të Turqisë.
Në një fjalim drejtuar mijëra përkrahësve në Stamboll në përgatitje për zgjedhjet e parakohëshme të qershorit, zoti Erdogan tha: “Nuk do të heqim dorë nga përpjekjet për të mos lejuar aktivitetin e organizatave terroriste. Turqia do të fillojë operacione të reja për të pastruar kufijtë e saj”.
Presidenti turk autorizoi organizimin e zgjedhjeve të 24 qershorit më shumë se një vit para datës së parashikuar. Sipas analistëve, synimi është që të shfrytëzohen ndjenjat e ndezura nacionaliste që mbështesin operacionet ushtarake në kufi me Sirinë.
Me këto zgjedhje, Turqia po e shndërron sistemin qeverisës në presidencë ekzekutive, duke eliminuar postin e kryeministrit, duke ia kaluar kompetencat e kryeministrisë postit të presidentit. Zoti Erdogan tha se me votën e qershorit, Turqia do të zërë vendin e saj si fuqi globale.