Ambienti i punës i së ardhmes
Inteligjenca Artificiale po i shtrin tentakulat edhe në biznes. Ashtu siç e shpjegon edhe ky artikull i botuar në The Economist, firmat e të gjitha llojeve po shfrytëzojnë Inteligjencën Artificiale për të parashikuar kërkesën, për të punësuar punëtorë dhe për t’u marrë me klientë të ndryshëm. Në vitin 2017, kompanitë shpenzuan rreth 22 miliardë dollarë mbi bashkimet dhe blerjet që lidhen me Inteligjencën Artificiale, rreth 26 herë më shumë se në vitin 2015.
Instituti Global i McKinsey, një kompani konsulence, vlerëson se vetëm aplikimi i Inteligjencës Artificiale në marketing, shitje dhe zinxhirët e furnizimit mund të krijojë vlerë ekonomike, duke përfshirë fitimet dhe efikasitetin, prej 2.7 trilionë dollarësh gjatë 20 viteve të ardhshme. CEO i Google ka deklaruar se Inteligjenca Artificiale në të ardhmen do të bëjë më shumë për njerëzimin sesa zjarri dhe elektriciteti.
Parashikime të tilla që shpeshherë hiperbolizohen ndikojnë në mënyrë direkte në rritjen e ankthit, por edhe të shpresës njëkohësisht. Të shumtë janë njerëzit të cilët shqetësohen se Inteligjenca Artificiale do t’i shkatërrojë vendet e punës më shpejt nga sa mund t’i krijojë. Edhe pse jo shumë e diskutuar, por po aq e rëndësishme sa edhe shqetësimi i mësipërm, është sesi do të ndikojë Inteligjenca Artificiale në transformimin e ambientit të punës.
Duke përdorur Inteligjencën Artificiale, menaxherët mund të fitojnë kontroll të jashtëzakonshëm mbi punonjësit e tyre. Amazon ka licencuar një byzylyk dore, i cili u vendoset të gjithë punonjësve të magazinës për të regjistruar lëvizjet e tyre të duarve dhe nëpërmjet vibrimeve të ndryshme, i nxit ata që të jenë sa më efikas. Në fund të ditës së punës, një firmë softuerike bazohet mbi 60 faktorë për të parashikuar se cilët do të jenë ata punonjës që do të pushohen nga puna.
Humanyze, një startup, shet “karta identifikimi të zgjuara” të cilat mund të gjurmojnë se cilët punonjës janë në ambientet e zyrës dhe sesi sillen ata me kolegët. Por, mbikëqyrja në ambientet e punës nuk është asgjë e re. Punëtorët e fabrikave kanë kohë që kontrollojnë nëpërmjet kartave të tyre personale kur arrijnë në punë dhe kur largohen prej saj. Drejtuesit mund të shikojnë se cilët janë punonjësit më dembelë të kompanive të tyre, në sajë të punës që ata bëjnë në kompjuterët e tyre.
Por Inteligjenca Artificiale e bën mbikëqyrjen të jetë e kudogjendshme, sepse edhe detajet më të vogla të të dhënave (që regjistrohen dhe që mund të duken të parëndësishme) janë mjaft të vlefshme. Të pakta janë ligjet të cilat rregullojnë mirëfunksionimin e nxjerrjes dhe ruajtjes së të dhënave në ambientin e punës. Për shembull, shumë punonjës pranojnë të nënshkruajnë kontratën e tyre të punës nën mbikëqyrjen e kamerave, edhe pse pjesa më e madhe e bëjnë këtë në mënyrë të pandërgjegjshme. Por ku do na çojë e gjithë kjo situatë?
Beso dhe kontrollo
Le ta fillojmë nga përfitimet. Inteligjenca Artificiale duhet të ndikojë në përmirësimin dhe rritjen e produktivitetit. Startup-i Humanyze, për shembull, krahason të dhënat e nxjerra nga kartat e identitetit të punonjësve me kalendarët dhe me email-et e tyre për të parë nëse ata e pëlqejnë punën në grup apo jo. Aplikacioni Slack, për dërgimin e mesazheve në ambientet e punës, u vjen në ndihmë menaxherëve për të vlerësuar sesa shpejt punonjësit i përmbushin detyrat që u janë caktuar.
Nëpërmjet “përgjimeve të Inteligjencës Artificiale”, kompanitë mund të arrijnë t’i kontrollojnë punonjësit jo vetëm kur nuk janë të pranishëm në vendin e punës por edhe në ato raste kur ata nuk sillen siç duhet. Kompani të ndryshme po fillojnë të përdorin Inteligjencën Artificiale për të regjistruar gjithçka, duke qenë se asaj po i besohet më shumë sesa shënimeve në një letër të thjeshtë. Edhe punonjësit do të kenë përfitime.
Falë teknologjisë së përparuar, Inteligjenca Artificiale mund të kontrollojë nëse punëtorët janë pajisur me veshjet e tyre të sigurisë përpara se të fillojnë punën dhe se askush në fabrikë, për shembull, nuk është dëmtuar gjatë orarit të punës, duke respektuar me përpikëri kushtet e sigurisë teknike në punë.
Disa punonjës të tjerë do të vlerësonin më shumë faktin nëse Inteligjenca Artificiale do t’i ndihmonte ata që ta bënin punën e tyre në mënyrën më të mirë. Cogito, një startup, ka krijuar një softuer të avancuar të Inteligjencës Artificiale, që regjistron ankesat e shërbimit të klientit dhe më pas cakton një “nivel empatie”, i cili bazohet në dhembshurinë e agjentëve që i dëgjojnë këto ankesa dhe sesa të aftë janë ata për t’i zgjidhur ato sa më shpejt.
Makineritë mund të ndikojnë që rritja e pagave dhe promovimet të shkojnë tek ata që i meritojnë vërtet. Dhe kjo fillon që nga procesi i punësimit.
Njerëzit shpeshherë kanë paragjykime, por nëse algoritmet ndërtohen saktë, atëherë ato do të jenë të paanshme në dhënien e rezultateve.
Softuerë të ndryshëm mund të evidentojnë detaje dhe shembuj të cilat njerëzit nuk munden.
Textio, një startup që e përdor Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar përshkrimet e punës, ka arritur në rezultatin se gratë i përgjigjen më shumë një aplikimi pune, në përshkrimin e të cilit është përmendur “zhvillimi i mëtejshëm” i një grupi pune sesa “menaxhimi” i tij.
Algoritmet do të evidentojnë diferencat në pagë ndërmjet gjinive dhe racave, si dhe ngacmimet seksuale dhe racore, të cilat pjesa më e madhe e menaxherëve, me ose pa vetëdije, i anashkalojnë. Megjithatë përfitimet e Inteligjencës Artificiale do të vijnë së bashku me disa të meta. Ekziston mundësia që algoritmet të mos jenë të lira nga bindjet e programuesve të tyre. Ato gjithashtu mund të kenë pasoja të padëshiruara.
Kohëzgjatja e një punonjësi në një kompani të caktuar mund të jetë një faktor tregues nëse këtij punonjësi i ka ardhur koha që ai të largohet nga ajo kompani, duke qenë se ka plotësuar ciklin e tij, gjë që do të dëmtojë padyshim punonjësit e varfër.
Punonjësit në moshë të madhe mund të punojnë më ngadalë në krahasim me punonjësit e rinj, duke rrezikuar të humbasin vendet e punës, nëse objektivi kryesor i Inteligjencës Artificiale do të jetë rritja e produktivitetit në punë. Mbikëqyrja mund të krijojë edhe një ndjesi Orwelliane, një çështje me një ndjeshmëri të lartë, sidomos në ditët e sotme kur njerëzit kanë filluar të ndërgjegjësohen në lidhje me privatësinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale ndaj gjigantëve të teknologjisë.
Kompanitë kanë nisur të monitorojnë sesa kohë shpenzojnë punonjësit në kohën e tyre të pushimit dhe nëse e respektojnë apo jo atë.
Veriato, një firmë softuerike, ka shkuar më larg se firmat e tjera, duke gjurmuar dhe duke regjistruar çdo klikim tasti në kompjuterin e punonjësve, për të vlerësuar se sa të përkushtuar dhe efikas janë ata në punë.
Firma të ndryshme kanë shkuar deri aty sa, në sajë të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, të kontrollojnë jo vetëm komunikimet zyrtare të punonjësve të tyre por edhe profilet në rrjete të ndryshme sociale.
Gjurmimi i gjurmuesve
Punëtorët me pagën më të ulët në orë, në industri si shitjet me pakicë, do të jenë ata që do të preken në radhë të parë. Situata mund të nxisë një ringjallje të sindikatave të punës që kërkojnë përfaqësim të interesave të tyre dhe zbatim të normave të caktuara.
Madje edhe atëherë, zgjedhja në disa vende pune do të jetë midis humbjes së saj si pasojë e zëvendësimit nga një robot apo trajtimit si një i tillë.
Teksa rregullatorët dhe punëdhënësit numërojnë avantazhet dhe disavantazhet e Inteligjencës Artificiale në ambientet e punës, tre janë parimet kryesore që duhet ta drejtojnë një diskutim të tillë.
Së pari, aty ku është e mundur, të dhënat duhet të ruhen në anonimitet. Microsoft, për shembull, ka një aplikacion, i cili tregon sesi individët e menaxhojnë kohën në zyrë, por menaxherëve u jep një informacion të reduktuar në këtë drejtim.
Së dyti, përdorimi i Inteligjencës Artificiale duhet të jetë transparent. Punonjësve duhet t’u tregohet se cilat teknologji po përdoren në ambientet e punës dhe se cilat prej të dhënave të tyre po regjistrohen. Në mënyrë të përsëritur, algoritmet e përdorura nga firmat për të punësuar, për të pushuar dhe për të promovuar punonjësit duhet të testohen për çdo parregullsi që mund të kenë.
Së fundi, kompanitë duhet t’u mundësojnë individëve të dhënat e tyre edhe në rastin kur ata janë ish-punonjës të kësaj kompanie dhe kanë kundërshtuar vendimin e pushimit nga puna, apo në rastin kur duan të tregojnë aftësitë për t’u rimarrë në punë nga një kompani tjetër.
Përparimi i Inteligjencës Artificiale po përplas njëra me tjetrën privatësinë me performancën. Çdo kompani do të dëshironte një fuqi punëtore sa më produktive, por jo kundrejt çmimit për të dehumanizuar punonjësit.
Vendosja e një ekuilibri do të jetë një proces i vështirë, në mënyrë që peshorja të mos anojë as nga punonjësit dhe as nga punëdhënësit dhe mbi të gjitha, të përmbajë një dozë të fortë humanizmi./Monitor