Albin Kurti: Zajednicën duan ta sjellin gjatë pushimit të Kuvendit, mos të lejojmë bosnjëzimin e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka thënë se institucionet po dëshirojnë që Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe ta formojnë në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në pushim, gjatë muajit gusht, raporton Ekonomia Online.
“Ia kemi falur 8 mijë e 200 hektarë tokë Malit të Zi, me premtimin e rrejshëm se do të na liberalizohen vizat. Dëshirojnë ta sjellin ‘Zajednicën’ në gusht kur Kuvendi është në pushim e kur qytetarët janë të shpërqendruar nga politika, sepse janë duke pritur të afërmit e tyre që vijnë nga jashtë vendi. Politikë e ulët e qeverive frikacake, mirëpo ‘Zajednica’ është e papranueshme.”
Kurti ka deklaruar se duhet të bëjnë çmos për të mos lejuar, siç është shprehur, bosnjëzimin e Kosovës.
“Duhet të bëjmë çmos e t’i dalim përballë kësaj situate dhe mos të lejojmë bosnjëzimin e Kosovës. ‘Zajednica nuk është organizatë joqeveritare, ajo është organizatë qeveritare, por jo e Qeverisë tonë. Është e Qeverisë së Serbisë me miratimin dhe bekimin e Qeverisë së Kosovës”.
Në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, Kurti ka folur edhe për dialogun me Serbinë, proces të cilin tha se nuk duhet ta udhëheq presidenti Hashim Thaçi. Sipas tij, ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Me dialogun e paralajmëruar me Serbinë nuk mund të udhëheq presidenti aktual. Ai në njërën anë i frikësohet shumë Gjykatës Speciale, të cilën e ka imponuar me trysninë e jashtëzakonshme mbi deputetët e PDK-së, në anën tjetër ai do që të vazhdojë dialogu i deritanishëm që është trashëgimi e tij dhe ta legjitimojë atë”.
“Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Pavarësinë e Kosovës. Ajo do të detyrohet ta njohë Kosovën një ditë. Prandaj, mos t’ia japim ‘Zajednicën’ paraprakisht dhe le të mos i bëjmë koncensione të tjera asaj”.
Kurti ka folur edhe për arrestimin e Marko Gjuriqit në Veri të Mitrovicës nga Policia e Kosovës, ku tha se ku arrestim është produkt i takimeve të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
“Spektakli i organizuar me arrestimin e Gjuriqit erdhi pas darkave të përzemërta të Thaçit me Vuçiqin, e menjëherë pasi e arrestuan, Gjuriqin e lëshuan dhe e pajisën me leje për të ardhur sërish në Kosovë sa herë të dojë e të dirigjojë me strukturat e Serbisë në Kosovë. I vetmi produkt i atij arrestimi ishte reagimi i Listës Serbe që tha se do të veprojë njëanshëm për ta ndërtuar ‘Zajednicën’”.