Kosovë: Sektorët më me potencial për investitorë
Sektori energjetik, miniera, transport dhe telekomunikacion, industri përpunuese dhe turizmi janë vetëm disa nga sektorët me më potencial të përcaktuar nga Qeveria e Kosovës, në të cilët investitorët ndërkombëtarë do të mund të investonin.
Zhvillimi i këtyre sektorëve, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës po konsiderohet si mundësi e rritjes ekonomike, punësimit dhe zbatimit të teknologjive të reja, rritjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës, rritjes së eksportit dhe zvogëlimit të deficitit tregtar.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i Kryeministrit Ramush Haradinaj, thotë për Radio Evropa e Lirë se investimet e huaja janë gati e vetmja mundësi për të zgjidhur problemet si papunësia, varfëria e problemet tjera sociale.
“Meqenëse potenciali ekonomik është i përkufizuar, ne e shohim si shans të mirë ardhjen e investitorëve të huaj dhe përmes tyre të plotësohen mangësitë që kemi, pasi që forca akumuluese e ekonomisë tonë është e ulët për të investuar për aq sa ka nevojë dinamika që kërkohet për të zgjidhur problemet ekonomike që ka vendi. Sektorët me prioritet janë sektorët strategjikë në energji në miniera e minerale, në bujqësi, në turizëm, transport e telekomunikacion dhe fusha tjera”, thotë Shatri.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radio Evropa e Lirë se Kosova ka potencial të madh në sektorë të shumtë për investitorët ndërkombëtarë dhe të brendshëm. Por, që sipas tij, ai potencial po vazhdon të mbetet i pashfrytëzueshëm.
“Në fakt, aty ku institucionet tona kanë dështuar gjitha këto viteve është në ndërtimin e një brendi shtetëror nacional të Kosovë. Investitorët përgjithësisht pak dinë për Kosovën dhe atë njohuri që e kanë për Kosovën e lidhin me imazhet e luftës, por jo më gjithçka që sot ofron vendi. Sot Kosova ofron legjislacion modern që është në harmoni me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Po ashtu edhe ofertën e tyre për tërheqje të investitorëve e ka të pasur, ka një sistem të mirë tatimor dhe të krahasueshëm me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe ka lehtësira që mund të ju ofrohen investitorëve, por në mungesë të njohurive për brendinë tonë ato mbesin të pashfrytëzuara”, thekson Zeka.
Edhe pse investimet e huaja vazhdimisht vlerësohen si mjete të domosdoshme për zhvillimin ekonomik, këto investime kanë shënuar rënie përgjatë viteve në Kosovë. Derisa në vitin 2008, investimet e huaja ishin 355 milionë euro, në vitin 2017 investimet e huaja nuk ishin më shumë se 280 milionë euro.
Të pakënaqur me nivelin e investimeve shprehen edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.
Haki Shatri thotë se janë duke bërë përpjekje që të tërheqin investitorët përmes Ligjit për investime strategjike, i cili ka ndarë edhe sektorët potencial dhe presin rritjen e nivelit të këtyre investimeve.
“Për fat të keq viteve të fundit ndoshta për shkak sundimit të rendit dhe ligjit investitorët sikur janë rezervuar që të vinë në Kosovë. Vëllimi i investimeve të huaj nuk është duke u rritur në nivelin që ne dëshirojmë dhe nuk është i mjaftueshëm. Nuk jemi të kënaqur me këtë dinamik, jemi duke bërë përpjekje që të dëshmojmë para investitorëve se në këtë vend ka disiplinë që ja mundëson investitorëve investimin”, thotë Shatri.
Ndryshe, sipas Ligjit për Investime Strategjike vëllimi i investimit për të fituar statusin e investimit strategjik është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro, varësisht nga sektori.
Prioritet në përzgjedhjen e projekteve për të fituar statusin e investimit strategjik, sipas këtij ligji ju jepet projekteve me vëllim më të madh investimesh dhe të cilat gjenerojnë më shumë vende pune.