AktualitetRajoniTë fundit

Vuçiç: Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë

Serbia ka shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politika deri tek ekonomia, por edhe nga fakti se turqit janë turistët më të shumtë, deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prag të vizitës në Turqi e cila do të realizohet më 7 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

“Zakonisht qytetarëve të Serbisë nuk u intereson shumë takimi me ndonjërin nga liderët, sepse dëshirojnë të shohin rezultate. Nga shkaku i Turqisë, ne kemi fabrika nga Vladiçin Han deri në Krupan, ndërsa së shpejti edhe fabrikë në Mali Zvornik me rreth 300 punonjës”, tha Vuçiç në një takim me gazetarët në Presidencën Serbe në Beograd.

Ai tha se marrëveshja për tregti të lirë me Turqinë ka bërë që eksporti i mishit të rritet me 22 ose 23 për qind.

“Kjo hap mundësi të reja për të ardhmen. Kemi shumë çështje të përbashkëta me Turqinë, nga politike tek ato ekonomike, shtuar edhe faktin se turqit janë turistët më të shumtë, numër të cilin dëshirojmë ta rrisim”, tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë ka komentuar edhe nismën e Mbretërisë së Bashkuar që seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) mbi Kosovën të mbahet me dyer të mbyllura.

Vuçiç tha se kjo nuk është vetëm nga britanikët, pasi siç tha, këtë tentojnë ta bëjnë edhe amerikanët, francezët dhe të gjithë ata që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Nga këndvështrimi i tyre, kjo punë ka marrë fund që atëherë, ndërsa pozita jonë nuk është aspak e lehtë, megjithatë, do të vazhdojmë të luftojmë”, tha Vuçiç.

Sipas tij, periudha e ardhshme do të jetë shumë e rëndë për Serbinë dhe popullin e saj, meqë siç tha, presin presione të mëdha nga jashtë, por shtoi se do të përpiqet të gjejë një zgjidhje kompromisi, për çka pret ndihmën e Rusisë, e cila tha se ka ndihmuar Serbinë në dy raste të ndara.