Valdrin Lluka: Fitimi i arbitrazhit me kompaninë AXOS, mësim për Kosovën
Fitimi i arbitrazhit me kompaninë AXOS nga ana e Kosovës, për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Telekomit të Kosovës, ka shtuar shpresat se gjendja mund të përmirësohet në këtë kompani publike.
Njohës të fushës së ekonomisë thonë se fitimi i këtij kontesti është jam i mirë për Kosovën, në të kundërtën do të ishte me pasoja përveç financiare po ashtu edhe dëme në imazh për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë në një interviste për Telegrafin se fitimi i arbitrazhit me kompaninë AXOS është një mësim për vendin tonë, por edhe një mënyrë sesi nuk duhet të bërë gabime të tilla.
Ai ka thënë se problemet me AXOS-in kanë bllokuar investimet dhe zhvillimin e Telekomit të Kosovës.
“Kjo nuk duhet të shihet si mburrje e madhe, kjo duhet të shihet si mësim për ne që ti evitojmë rastet e tilla në të ardhmen. Këtu kemi pasur fat sepse kemi pasur avokatët mbrojtës më të mirë. Ne duhet të mësojmë se kompanitë spekulative që kanë qëllim që të marrin miliona euro nga buxheti i vendit ti eliminojmë nga gara”, tha Lluka
Sipas tij, Kosova nuk fiton financiarisht.
“Kosova nuk fiton financiarisht, por shpenzimet prej rreth 2 milionë euro duhet t’i paguaj kompania AXOS. Në të ardhmen Kosovës duhet t’i jepet mundësia që ta padisë AXOS-in sepse ne duhet të tregohemi më serioz se nuk mund të luhet me imazhin dhe asetet e vendit. AXOS ka bërë dëme në imazh në zhvillimin e Telekomit, sepse nuk janë bërë investime për shkak kësaj çështje me AXOS-in”, ka thënë Lluka.
Ai ka paralajmëruar se do të merren masa për uljen e shpenzimeve të Telekomit të Kosovës, në qera, shpenzime, e po ashtu edhe ulje të pagave.
Ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka ka treguar se në Telekom vetëm për paga brenda vitit shkojnë 27 milionë euro.
Drejtori i Institutit RIINVEST, Alban Hashani, ka thënë për Telegrafin se vendimi i arbitrazhit në favor të palës kosovare në betejën ligjore kundër kompanisë AXOS është një lajm i mirë për Kosovë.
“Në të kundërtën Kosova do të rrezikonte të paguante një shumë të madhe të hollash të taksapaguesve si dëmshpërblim për anulimin e procesit të privatizimit”, tha ai.
Hashani tha se nëse e analizojmë procesin e privatizimit të Telekomit të Kosovës, nga fillimi ai është përcjellë me mungesë serioze të transparencës dhe për pasojë janë dekurajuar shumë investitorë seriozë.
“Përballë një situate të tillë, Qeveria e Kosovës ka vazhduar procesin e privatizimit duke trajtuar vetëm një ofertë gjë që e ka bërë më të vështirë dhe më të ndjeshëm gjithë procesin. Edhe pse kompania AXOS ishte shpallur fituese, e njëjta nuk ka arritur të siguroj financimin e nevojshëm për të bërë pagesën e aksioneve. Në situatë të tillë, Qeveria e Kosovës është dashtë të anuloj kontratën e jo të vazhdoj, madje disa herë, afatin që kompania AXOS të siguronte financimin për të kryer pagesën e akorduar. Për më tepër, pak para se të përfundonte afati i fundit shtesë i dhënë nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik në fund të dhjetorit të vitit 2013 ishte tërhequr nga procesi i privatizimit. Përderisa ishte raportuar se kjo kompani nuk kishte mjete financiare për të bërë pagesën e aksioneve, tërheqja e Qeverisë së Kosovës pa përfunduar afati i fundit shtesë ka ekspozuar këtë të fundit ndaj rrezikut për të humbur rastin”, ka thënë ai.
Njohësi i ekonomisë, Alban Hashani, ka thënë se një vendim i tillë e lehtëson gjendjen e vështirë të Telekomit të Kosovës, pavarësisht se vazhdon të përballet me probleme serioze.
“Telekomi rrezikon të shndërrohet në barrë për buxhetin e Kosovës, përderisa Telekomi, duke qenë se operon në një treg të mirërregulluar, ka pasur gjithë potencialin për të vijuar të jetë fitimprurëse. Në këtë kuadër, politizimi i ndërmarrjes dhe mbipunësimet vijojnë të mbetën problem serioz për këtë kompani, përderisa nuk ka ndonjë kontroll efektiv të kuvendit mbi atë se si Qeveria e Kosovës, si pronare në mirëbesim, ushtron të drejtën pronësore mbi këtë kompani”, tha Hashani.
Kurse, drejtori i Odës Amerikane të Kosovës, Arian Zeka, ka thënë për Telegrafin se fitimi i arbitrazhit në favor të Kosovës, jo vetëm në aspektin e dëmit financiar, por edhe të dëmit në imazh, në rast se Kosova do ta humbte këtë rast me AXOS-in
“Është një dëshmi sesa shumë rendësi duhet t’i kushtohet përgatitjes për mbrojtje ligjore, por besoj edhe një mësim i mirë që institucionet qeveritare duhet të nxjerrin nga shmangja e rasteve të tilla në të ardhmen, gjatë tentimit të radhës për kalimin e Telekomit në pronësi private. Për sa i përket gjendjes në Telekom, natyrisht që kjo nuk e heq detyrimin që kjo ndërmarrje ka ndaj kreditoreve. Është pozitive që nuk janë krijuar detyrime të reja, por urgjentisht duhet të merren masa për përmirësimin e gjendjes në këtë ndërmarrje që përben një aset të rëndësisë strategjike për Kosovën. E detyrimi për këtë bije mbi Qeverinë si pronare e kësaj ndërmarrje”, ka thënë Arian Zeka drejtor i OEAK-së.