Tërheqja e Ministrisë së Arsimit nga ID e prindërve, Vokshi: Tallje me shqiptarët, si dorëheqja e Tahirit
Pas tërheqjes së Ministrisë së Arsimit nga projekti për mbledhjen nga nxënësit të të dhënave të prindërve të tyre, vjen reagimi nga kryetarja e Komisionit të Arsimit Albana Vokshi. Kjo e fundit përmes një statusi në ‘Facebook’ e cilësoi hapin pas të MASR-së, tallje me shqiptarët, të njëjtë me dorëheqjen dje të Tahirit nga mandati i deputetit.
REAGIMI I VOKSHIT:
TËRHEQJA E NIKOLLËS TALLJE ME SHQIPTARËT
Tërheqja e Ministrisë së Arsimit nga mbledhja e paligjshme e të dhënave personale të prindërve nëpërmjet nxënësve është nje tallje me shqiptarët, e njëjtë me dorëheqjen e Saimir Tahirit.
Për të dhënat e komunikimit në kohë reale me prindërit mjafton numri i telefonit ose e-email i vetëm një prindi. Numri i kartës së identitetit të prindërve, mund t’u duhet për identifikim në zgjedhje, por jo për komunikim në kohë reale. Tërheqja e Lindita Nikollës, nëse është e vërtetë, është e pamjaftueshme!
Ministrja e Arsimit duhet të tregoje se përse gjeti një mekanizëm të paligjshëm që të sigurojë brenda natës numrat e kartave të identifikimit të të paktën 70% të shqiptarëve, pra të babait dhe të nënës së çdo fëmije që ndjek shkollën.
PD u bën thirrje edhe një herë prindërve të mos japin të dhënat e tyre personale tek një bande që do t’i përdorë ato për qëllime elektorale! Partia Demokratike po e ndjek me ekspertët e saj këtë çështje dhe siguron Ministren Nikolla se do të përballet me drejtësinë për shkeljen flagrante të ligjit!