Shqipëri-Greqi, shumë pranë marrëveshjes së re
Shqipëria dhe Greqia kanë bërë një progres të madh dhe ndodhen shumë pranë një marrëveshjeje të përbashkët për problematikën midis dy vendeve që ato ndajnë. Këtë kanë deklaruar ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, dhe homologu i tij grek, Nikos Kotzias, në Ministerialin e Selanikut, i treti prej vitit 2016 që mbahet në qytetin verior të Greqisë.
“Mendoj se jemi përballë një situate të favorshme, ku ekzistojnë të gjitha mundësitë që Shqipëria dhe Greqia të shkojnë drejt një marrëveshjeje të re, që do të jetë e mirë dhe mbi të gjitha një marrëveshje e zbatueshme për të dyja vendet”, u shpreh ministri Bushati.
“Jam shumë i gëzuar që në fillim të qershorit do të mbyllim këtë paketë të madhe çështjesh që kishim me Shqipërinë dhe që përmban probleme të viteve 40, 60 apo 70 viteve më parë”, tha Kotzias.
Në një intervistë për televizionin shtetëror të Greqisë, Bushati ka deklaruar se të dyja palët po punojnë për një marrëveshje në lidhje me Zonën Ekonomike Ekskluzive, më të mirë dhe më të drejtë sesa ajo e nënshkruar në vitin 2009 nga dy qeveritë e atëhershme.
“Mund të them se parimet, që ne synojmë t’i aplikojmë në një marrëveshje të re do të jenë më të drejta për të dyja palët, jo si në 2009-n, sepse thelbi në këtë proces diskutimi dhe në përkufizimin e zonave detare nuk qëndron domosdoshmërisht te fitorja e njërës palë përkundrejt tjetrës, por te drejtësia e parimeve që aplikohen në praktikë”, theksoi më tej Bushati.
Në samit, përveç ministrave të Jashtëm të Greqisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë merrnin pjesë edhe ministrat dhe zv.ministrat e Brendshëm, si dhe ata të Transporteve.
Të gjitha palët kanë rënë dakord se, përforcimi i stabilitetit ndërajonal dhe bashkëpunimit në nivel shumëpërmasor në çështjet e kufirit, sigurisë, terrorizmit, migracionit dhe marrëdhënive ekonomike arrihet vetëm me dialog të sinqertë dhe përballje të përbashkët me sfidat e kohës./TCH