AktualitetRajoniTë fundit

Shkup, Konferencë Ndërkombëtare e Shkencave Shoqërore dhe Humane

 Nën organizimin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU), Fondacionit Maarif të Turqisë (TMV) dhe Halkbank, sot në Shkup u organizua Konferenca Ndërkombëtare e Shkencave Shoqërore dhe Humane.

Në konferencë, e cila këtë vit u organizua për herë të tretë, morën pjesë Ministri pa resor Adnan Qahil, deputetja nga Turqia nga radhët e partisë qeverisëse (AK), Sema Kırcı, kryetari i TMV-së, Birol Akgün, ambasadorja e Turqisë në Shkup, Tülin Erkal Kara, akademikë, studentë dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në konferencën me titull “Zhvillimi i qëndrueshëm: Trendet dhe mundësitë”, kreu i TMV-së, Akgün, mbajti një fjalim.

Në deklaratë për gazetarët, Akgün tha se një nga çështjet më të rëndësishme aktuale është roli i arsimit në zhvillimin e qëndrueshëm.

Ai tha se kjo çështje është ndër më të aktualizuarat në platformat ndërkombëtare dhe shtoi se përmbajtja e arsimit vazhdon të ngelet në agjendë si në shtetet në zhvillim, ashtu edhe në shtetet e zhvilluara.

Akgün theksoi se Turqia është bërë një nga shtetet shembullore në botë me performancën e saj të lartë në fushën e ekonomisë dhe zhvillimit social, posaçërisht në vitet e fundit.

“Ne kemi pasur mundësi t’i diskutojmë zhvillimet në fushën e arsimit në Turqi dhe në investimet që janë bërë nga infrastruktura e deri në përmbajtjen e arsimit, përmes investimeve dhe reformave në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, përmes institucioneve që ka themeluar rishtazi, siç është Fondacioni Maarif, Turqia është duke dhënë kontribute shumë të rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm në arenën ndërkombëtare nëpërmjet arsimit”, deklaroi Akgün.

Ai shtoi se TMV do të ketë mundësi për të ofruar arsim duke hapur shkolla në nivele dhe qytete të ndryshme në Maqedoni.

“Gjithsesi, detyra kryesore e Fondacionit Maarif që përcaktohet me ligj, është të ofrojë shërbime arsimore jashtë vendit në emër të Turqisë. Ne përpiqemi ta zbatojmë këtë funksion”, theksoi Akgün.

“Fondacioni Maarif do të jetë institucion i besueshëm në Ballkan”

Akgün më tej rikujtoi se vitin e kaluar kanë hapur dy shkolla në Kosovë, ndërsa tha se do ta forcojnë praninë në Ballkan duke hapur shkolla edhe në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Rumani.

“Tani e tutje, shpresojmë që Fondacioni Maarif do të bëhet një markë dhe institucion i besueshëm në Ballkan që do të njihet nga gjithsecili”, shtoi ai.

Ndërkaq, ambasadorja Kara u bëri thirrje qytetarëve t’i largojnë fëmijët e tyre nga shkollat që kanë lidhje me organizatën terroriste FETO, duke kërkuar nga prindërit që fëmijët e tyre t’i regjistrojnë në shkollat e Fondacionit Maarif si institucion shtetëror.

Ajo tha se kanë marrë lajmin për hapjen e një kopshti fëmijësh në qytetin e Gostivarit në ditët në vijim.

“Ne do t’i hapim këto shkolla të bukura me pjesëmarrjen e presidentit tonë. E ftoj secilin që të marrë detyrë mbi këtë çështje. T’i regjistrojmë fëmijët tanë në Fondacionin Maarif”, tha Kara.

“Qëllimi ynë është të nxjerrim një gjeneratë e cila rritet me humanitet”

Nga ana tjetër, deputetja nga Turqia Kırcı, tha se do të marrë pjesë në program si paneliste.

Kırcı tha se Turqia ka lidhje historike dhe gjeorgrafike intensive me Ballkanin dhe se marrëdhëniet me këtë rajon nuk i përkasin vetëm kohës së tanishme, duke shtuar se me ardhjen e partisë AK në qeveri, Turqia ka aktivitete shumëkahëshe në këtë vend.

Duke theksuar rëndësinë e arsimit, Kırcı tha:

“Në botën ku mbizotërojnë lufërat, ku njerëzit vrasin njëri-tjetrin, rruga e vetme për t’i luftuar këto dukuri është rritja e njerëzve të arsimuar. Teksa ofrojmë këtë arsim, qëllimi ynë është të nxjerrim një gjeneratë e cila rritet me humanitet dhe ndjenja të mira. Sikurse në Ballkan, ne mendojmë t’i gjallërojmë dhe shtojmë institucionet tona arsimore në tërë botën”.

Po ashtu, rektori i IBU-së, İsmail Kocayusufoğlu, vuri në dukje se në konferencë rreth zhvillimit të qendrueshëm nuk do të debatojnë vetëm akademikë nga Ballkani, por edhe nga Mali, Pakistani, Polonia, Malta dhe Franca.

Konferenca do të vazdhdojë me panele deri më 6 maj, në tema rreth arsimit, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekonomisë./AA