SHBA: Zgjedhjet e nëntorit; Agjenda e Presidentit Trump
Votuesit në Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin në nëntor anëtarë të Kongresit në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve dhe 1/3 e Senatit, që aktualisht kontrollohen nga republikanët. Sipas parashikimeve demokratët pritet të sigurojnë një numër shtesë vendesh në të dyja dhomat dhe ndoshta mund të marrin kontrollin. Kjo do të ndikonte thellësisht tek axhenda e presidentit.
Në një aktivitet të zhvilluar ditët e fundit në Miçigan, Presidenti Trump u parashtroi një zgjedhje votuesve:
“Nëse votoni për demokratët në nëntor, është njësoj si të votoni për t’ia hapur kufijtë krimit. Është fare e thjeshtë”.
Presidenti po përpiqet të mobilizojë votuesit për zgjedhjet e nëntorit për Kongres, ku pritet që demokratët të shënojnë fitore të ndjeshme:
“Duhet të luftojmë me shpirt që të fitojmë si në Dhomën e Përfaqësuesve, ashtu edhe në Senat. Mendoj se do të dalim shumë mirë në zgjedhjet për Senat dhe do të dalim shumë mirë edhe në zgjedhjet për Dhomën e Përfaqësuesve sepse ekonomia po ecën shumë mirë”.
Demokratët po organizohen me ndihmën e miliarderit Tom Steyer. Ai shpreson se nëse Kongresi kalon në duart e demokratëve, kjo do të çojë në fillimin e procesit për largimin e Presidentit Trump nga posti.
“Ne e kemi tani të qartë se kjo përplasje partiake është shndërruar në një betejë të egër për shpirtin e Amerikës, dhe ne, populli, duhet ta fitojmë këtë betejë,” thotë zoti Steyer.
Popullariteti i ulët i presidentit i dëmton republikanët që konkurrojnë në këto zgjedhje, thotë analisti John Fortier:
“Aktualisht përkrahja për të është në nivele të ulëta, jo aq ulët sa ç’ka qenë më parë, por gëzon vetëm mbështetjen e 41-42% të publikut. Ai ende gëzon mbështetjen e bazës republikane, por ka frymëzuar shumë demokratë kundër tij dhe kjo shihet nga humbjet që kanë pësuar republikanët në zgjedhjet jashtë mandatit”.
Po ashtu, një numër i madh republikanësh në Kongres kanë njoftuar se do të largohen nga politika duke rritur shanset e demokratëve për fitore.
Jim Kessler punon për organizatën centriste “Third Way”:
“Ky është sinjal i një pesimizmi të ndjeshëm. Edhe vetë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve nuk ka plan të konkurrojë për mandat të ri. Anketat i nxjerrin demokratët në epërsi për garat e nëntorit dhe zgjedhjet jashtë mandatit që pas zgjedhjes së Donald Trumpit”.
Pasojat do të ishin të mëdha për axhendën e presidentit nëse republikanët humbasin kontrollin qoftë edhe të vetëm një dhome të Kongresit, thotë eksperti Bill Galston:
“Nëse republikanët humbasin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, do të paralizohet axhenda legjislative e administratës. Nëse humbasin kontrollin e Senatit, do të paralizohet procesi i konfirmimit të posteve të kabinetit dhe administratës”.
Pritet që presidenti të shpenzojë një kohë të konsiderueshme në fushatë këtë vit, i vetëdijshëm për konston e rëndë politike që do të kishte për administratën e tij humbja e republikanëve në Kongres.