Kosovë: Valon Tolaj jep dorëheqje nga AAK-ja
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në kohën kur po shënon 18-vjetorin e themelimit, ka mbetur pa sekretarin ekzekutiv të saj.
Valon Tolaj, që deri më tash mbante këtë pozitë, ka njoftuar para pak minutash që ka dhënë dorëheqje nga partia.
Tolaj ka thënë që arsyeja e dorëheqjes nuk ka lidhje me aktivitetet e partisë, por është krejtësisht e natyrës personale e familjare.
Të dashur miq e kolegë të Aleancës,
E ndjej obligim t’ju informoj mbi kërkesën që sot i kam bërë Kryetarit të AAK, z. Ramush Haradinaj, për lirim nga detyra e Sekretarit Ekzekutiv të AAK.
Arsyeja e kërkesës është krejtësisht personale e familjare, dhe nuk ndërlidhet me asnjë rrethanë apo proces në AAK.
Unë, do të vazhdoj të jem pjesë e Aleancës dhe mbeshtetës i vizionit politik të Kryeministrit Ramush Haradinaj.
Për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, falënderoj të gjithë miqtë e kolegët të cilët janë shumë, në të gjitha strukturat organizative të AAK.
Kam qenë i nderuar me punën e përbashkët dhe bashkepunimin me të gjithë, pa përjashtim.