Kosovë: Ministri Tahiri takim me delegacionin nga KE
Ministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, Abelard Tahiri, ka takuar sot delegacionin e Komisionit Evropian(KE), të udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendës drejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, të cilët kanë mision të bëjnë vlerësimin e përmbushjes së kriterit për luftë kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim, bëhet e ditur nga një komunikatë nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, ministri Tahiri ka njoftuar delegacionin për punën që është bërë në përmbushjen e kritereve nga Kosova për liberalizimin e vizave, duke mbështetur Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial me rritjen e buxhetit, për të shtuar stafin e tyre në luftën kundër keqpërdorimit të parasë publike.
Ministri Tahiri ka njoftuar delegacionin se është fokusuar edhe në mbarëvajtjen e politikës së konfiskimit të pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit, ai ka rikonfirmuar perspektivën evropiane dhe integruese të Kosovës, duke theksuar se do të përmbushen të gjitha obligimet që dalin nga ky proces.
“Uroj që ky mision i juaji të ketë qenë mundësi e mirë e përbashkët, që të ri-konfirmojmë perspektivën e qartë evropiane dhe integruese të Republikës së Kosovës, si dhe qasjen e qytetarëve tanë, pa viza, në zonën Shengen brenda këtij viti, si një imperativ i domosdoshëm për të fuqizuar besimin edhe në institucionet e drejtësisë”, ka thënë ministri Tahiri.
Kujtojmë së Kuvendi i Republikës së Kosovës në muajin mars ka ratifikuar Projektligjin për kufirin shtetëror mes Kosovës dhe Malit të Zi, duke përmbushur 94 nga 95 kriteret e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave në Zonën Schengen. Kriteri i mbetur është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.