Kosovë: 1,642 projekte bujqësore presin mbështetje
Një numër i madh i fermerëve dhe agrobizneseve kanë aplikuar për të përfituar përkrahje në projektet e tyre në kuadër të masave mbështetëse të ‘Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018’.
Janë 1,642 projekte të ndryshme të zhvillimit rural në Kosovë, të cilat janë pranuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).
Sipas një komunikate të AZHB-së, të gjithë ata aplikues që do t’i plotësojnë kriteret e parapara në thirrjen për aplikim, duke u bazuar në programin për projektet e zhvillimit rural dhe udhëzimit administrativ 2018 për masat e shpallura, për të cilat buxheti i ndarë këtë vit arrin shumën në 19 milionë euro, do të mbështeten përmes granteve investive.
Në krahasim me vitin e kaluar, ka rritje të numrit të aplikuesve me projekte të zhvillimit rural. Vitin e kaluar në zyrat regjionale të AZHB-së, kanë aplikuar 1,447 projekte për mbështetje përmes granteve investive.
Bazuar në Programin për Projektet e Zhvilllimit Rural dhe Udhëzimit Administrativ 2018, masat mbështetëse kanë qenë të hapura për Masën 101 ‘Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në disa nën-sektor’, ku buxheti i planifikuar për këtë masë është 12 milionë euro, për Masën 103 ‘Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore’, buxheti i planifikuar është 4 milionë euro, për Masën 302 ‘Investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve’, buxheti është 1.7 milionë euro, për Masën 303 ‘Përgatitja dhe zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal- Qasja Leader- për Grupet Lokale të Veprimit – të përzgjedhura’, buxheti është 300 mijë euro, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore, ku për këtë masë buxheti i planifikuar është 1 milion euro.
Nga java e ardhshme, Drejtoria e Miratimit të Projekteve në AZHB, do të fillojë me vlerësimin e projekteve, bazuar në kriteret e publikuara në kohën e shpalljes së thirrjeve, e që janë edhe tani publike në ueb-faqen e MBPZHR-së dhe AZHB-së.
Afati për aplikim për masat mbështetëse të këtij viti ishte shpallur më 19 mars të këtij viti dhe afati për aplikim ka qenë i hapur deri më 30 prill 2018.