Fondacioni pranë partisë së Merkel: Të hapen negociatat me Shqipërinë
Shqipëria po përjeton një seri zhvillimesh të forta, të gjitha në kuadër të hapjes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Qëllimi është të bindet Gjermania, që e ka pozicionuar veten ndër vendet skeptike.
Pikërisht fondacioni gjerman ‘Konrad Adenauer’ i partisë së kancelares Angela Merkel-CDU, në një raport të sapopërfunduar, ‘u sugjeron’ deputetëve të Bundestagut që t’i thonë ‘Po’ hapjes së negociatave me Shqipërinë, por t’i vendosin një ‘Por’ kushtëzues qeverisë së Kryeministrit Rama.
Në përfundimet e Walter Gloss, kreu i Fondacionit në Shqipëri, nuk mungon as fakti se kryetari i partisë opozitare, PD, Lulzim Basha, ka lobuar pro hapjes së negociatave gjatë takimeve në Gjermani. Raporti, gjithashtu vëren, ato që quhen kritere të paplotësuara nga qeveria socialiste.
“Deri tani nuk ka suksese të mjaftueshme. Hapja e negociatave duhet të vendoset në bazë të kushteve të formuluara qartë, të cilat duhet të plotësohen më parë dhe pastaj të mund të hapen kapitujt fillestarë të negociatave”, përfundon raporti.
Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), përfaqëson demokristianët gjermanë (CDU) dhe ka zyra në shumë vende të botës, përfshirë këtu edhe Tiranën. KAS operon si krahu ideologjik i partisë së kancelares Merkel dhe e merr emrin nga Konrad Adenauer, një prej kancelarëve më të suksesshëm dhe jetëgjatë të demokristianëve gjermanë./Mapo.al