AktualitetKosovaTë fundit

Thaçi: Gjuhët e komuniteteve, burim force dhe pasurie

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se “Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit”.

Presidenti Thaçi, thuhet në një njoftim nga Zyra e Presidentit, i cili ka hapur konferencën e pestë vjetore të Asociacionit Ndërkombëtar të Komisionerëve për Gjuhët, i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit vendor e ndërkombëtarë për kontributin e dhënë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore.

“Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre, si dhe të ruajnë e përmirësojnë elementet esenciale të identitetit të tyre, veçanërisht fenë, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë kulturore. Të drejtat gjuhësore janë të rëndësishme për një shoqëri demokratike”, ka thënë kreu i shtetit.

Sipas njoftimit, presidenti kosovar ka theksuar se arsimi në gjuhët e komuniteteve joshumicë, përdorimi i tyre në media, administratë publike dhe gjyqësor është jetik për një vend demokratik.

“Si një shtet i ri, Kosova ka legjislacionin më të avancuar gjuhësor në Ballkan”, është shprehur ai, duke uruar që Kosova të jetë model edhe për shtetet e tjera fqinje.

Presidenti Thaçi ka shprehur bindjen se kjo konferencë do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore si në Kosovë, ashtu edhe në vendet tjera me karakter shumë gjuhësor.

Ndryshe, konferenca e pestë vjetore e organizuar në Prishtinë nga Asociacioni Ndërkombëtar i Komisionerëve për Gjuhët me temën “Shumëgjuhësia: vlerë dhe/apo obligim”, mbahet nesër në Prishtinë, e cila synon të ofrojë mundësinë që të shkëmbehen idetë dhe praktikat e mira në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave gjuhësore dhe në tejkalimin e sfidave në zbatimin e shumëgjuhësisë./AA