Bota+

Sulmi ndaj gazetarëve; Rreziku për jetën

Vrasja më 30 prill e 10 gazetarëve në Afghanistan thekson rreziqet me të cilat përballen gazetarët kur mbulojnë ngjarjet në disa rajone të botës. Në emisionin e Zërit të Amerikës me gazetaren e njohur amerikane Greta Van Susteren, ekspertët diskutojnë se përse liria e shtypit është sot më e rëndësishme se kurrë.

Në mesin e dhunës dhe presionit nga qeveritë, gazetarët në zonat me konflikt vazhdojnë të bëjnë punën e tyre, pavarësisht kostos.

Myroslava Gongadzes, thotë të qënit gazetar në Ukrainë, i kushtoi jetën bashkëshoritit të saj:

“Atë e vrau policia, ngaqë ne po mbulonim në atë kohë raste korrupsioni dhe siç duket, presidentit dhe qeverisë nuk u pëlqente kjo; një ditë ai u zhduk dhe dy muaj më vonë ne zbuluam se ishte vrarë nga policia qeveritare”.

Liria e shtypit është duke shënuar rënie në mbarë botën, sipas Komitetit për Mbrotjen e Gazetarëve, që thotë se vetëm në 4 muajt e fundit janë vrarë 24 gazetarë, përfshirë 9 që u vranë në sulmin vetëvrasës me bombë të së hënës në Kabul.

“Rreziqet janë shkallëzuar së tepërmi dhe përveç këtij incidenti të urryer me dhunë, që ishte më i përgjakshmi në historinë e Afganistanit ndaj gazetarëve, ne kemi patur raste të shumta kërcënimsesh ndaj gazetarëve në mbarë vendin tonë.”, thotë Najib Sharifi i Komitetit afgan për Sigurinë e Gaztearëve.

Sulmet ndaj gazetarëve nuk përfundojnë vetëm me vrasje. Në Mianmar, u arrestuan më 12 dhjetor dy gazetarë të agjencisë Reuters; u njoftua se ata u arrestuan nga policia, ndërsa po mbulonin një fushatë ushtarake brutale në shtetin Rakhine, që ka detyruar largimin e qindra mijëra myslimanëve rohinga në kufirin me Bangladeshin, që nga gushti i kaluar.

“Në dy vitet e fundit, është shtuar numri i burgimeve në mbarë botën. Vitin e kaluar, të paktën 262 gazetarë ndodheshin nëpër burgje, sipas regjistrimeve më të fundit dhe e dimë se akuzave si veprime kundër shtetit, për nxitje të terrorizimit, mbulimin e çështjeve të papranueshme për shtetin, u vihet shenja e barazimit me gazetarinë.” – thotë Courtney Radsch, e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Në intervistat që i dhanë gazetarses Greta Van Susteren-it, reporterët thonë se abuzimet kundër mediave po keqësohen.

“Ka shumë njerëz që nuk u pëlqen liria e shtypit. Për shembull, ushtarakët, udhëheqësit fetarë, politikanët në pushtet.”– thotë Rahman Bunairee, me shërbimin Deewa të Zërit të Amerikës.

“Vitin e kaluar, kameramanin tonë e futën në burg ndërsa ishte duke raportuar për një protesë dhe kjo ndodhi në transmetim të drejtpërdrejtë. Një ushtarak u përpoq t’i hidhte në gojë gaz lotsjellës njërit prej gaztearëve tanë, ndërsa ai ishte duke transmetuar drejtpërdrejt.”– thotë Leo Trechy i organizatës “Venezuelianët për informacione”.

Ndërsa Najib Sharif, thotë nga Kabuli, se ai dhe gazetarë të tjerë në rajon nuk kanë për t’u tundur:

“Kjo nuk ka për ta minuar vendosmërinë e tyre. Ata do ta vazhdojnë punën në profesionin që kanë zgjedhur, sepse besojnë tek roli i shtypit.”

Edhe kur ndodhen përballë kërcënimeve, gazetarët vazhdojnë ta venë jetën e tyre në rrezik, duke sjellë ngjarje të padëgjuara nga pjesët më të errëta të botës./VOA