Opozita braktis Kuvendin; Rama: PS rron një mijë vjet në pushtet po të jetë për këtë opozitë
Opozita nuk është në unison. Në momentin që Rama mori fjalën në foltore, PD u largua nga seanca plenare duke e braktisur, ndërsa LSI jo. Kryetarja e LSI, Kryemadhi së bashku me kryetarin e grupit Vasili dhe dy deputetët Luan Rama dhe Klajda Gjosha qëndruan në sallë duke replikuar me Ramën.
Kryeministri i akuzoi se po hedhin baltë për Shqipërinë në Europë, ndërsa shtoi se me këtë opozita, PS rron një mijë vjet në pushtet, pasi nuk ka konkurrencë. Kryeministri nuk kurseu ‘thumbat’, ironinë dhe talljen, jo vetëm me deputetët e PD, por edhe me ata të LSI dhe Kryemadhin që ishte e pranishme.
“Ne vijojmë me fjalën që mbeti, prania juaj nuk i shton asgjë seancës. Profesori më dha mundësi të flas për llogaridhënie publike. Nuk ka qenë e largët kur raportet ndërkombëtare kishin emra dhe mbiemra. Kryetari vulëhumbur, por edhe një tjetër kryetar i simotrës ka qenë me emër dhe mbiemër si pengesë e progresit dhe sot kemi një raport të KE që nuk është i radhës, por dokument që mbështet hapjen e negociatave për anëtarësim pa kushte.
Opozita eksporton kodra dhe male me baltë kundër Shqipërisë. Profesori thotë se paska thënë Gjermania se pa u fut në burg Tahirin nuk ka të ardhme për Shqipërinë. Në komisionet e bundestagut, në gjermanisht unë dëgjova ato që kam dëgjuar këtu shqip katër vite. Këta janë baba e rrenës dhe nona e shpifjes. Një vend anëtar i peshës së Gjermanisë, nuk mund të jetë një burim budallallëqesh sikur është kjo opozitë e përfaqësuar sot. Shqipëria sot nuk ka lidhje me cfarë thonë këta. Këta janë provuar, në dy martesa, por i kemi dhe do ti mbajmë këtu, gjithmonë e më pak. PS rron një mijë vjet në pushtet po të jetë për këta.
Këta PS nuk i afrohen dot në asnjë rrugë. Këta janë vari llamarinën. Në nuk luftojmë këtu për kategorinë e dytë dhe të tretë dhe si gjithë ata rrinë edhe kur u vjen topi në këmbë, nuk shohin topin, por këmbën e tjetrin, që të na gjuajnë në këmbë, jo topin. Luani nuk ka lidhje me këtë aty është Monika me çizme në dorë. Por mund të merret seriozisht Titi, unë bëj përpjekje se e kam edhe gjysmë patriot. Flasin për Shefqet Kastratin për Rrugën e Kombit, por profesorin (Spahon) duket se nuk e kanë informuar për kontributet e Çetit (Shefqet Kastrati) për PD, Saliu dhe Luli e dinë mirë”, tha Rama
Pas fjalës së kryeministrit, ka replikuar Luan Rama nga LSI dhe Petrit Vasili. Luan Rama e sfidoi kryeministrin duke deklaruar se nëse nuk janë të vërteta deklaratat e tij për raportin e DASH për Shqipërinë, largohet nga Kuvendi.
“Më lejoni t’ju bëj një sfidë. Në raporton e DASH, në vitin 2016, që i referohet vitit 2015 thuhet se Shqipëria nuk figuron në vendin e listuar për pastrimin e parave. Një vit më parë kanë thënë në këtë foltore atë çka thoshte DASH për 2016. Shqipëria figuronte në vendet problematike për pastrimin e parave. Ndërkohë në raportin e këtij viti, që i referohet vitit 2017, thuhet; Shqipëria mbetet një rrezik i madh për pastrimin e parave të pista. Nëse nuk është kështu në raportin e DASH, unë iki nga ky parlament. Më provoni të kundërtën zoti kryeministër”, tha ai
Kurse Petrit Vasili tha se “Në Shqipëri or ti mik është bërë para se të vije ti kardiokirurgji, ka pasur 98% të mbulimit me vaksina, vend lider në imunizimin evropian para se të vije ti, nuk janë bërë as me hanxhar, as ato të ndryshkura që të kanë thënë ty dhe ca ke teknologjinë e lartë e ke gjetur nuk e ke blerë. Ka një këshillë shumë të mirë, miqësore për aq sa ka mbetur për tu njohur bashkë: Mos fol më për shëndetësinë se ata që merren me këtë punë i gajase.”
Pas fjalës së Petrit Vasilit dhe Luan Ramës, edhe kryetarja e LSI së bashku me deputetët u larguan nga salla. E pyetur nga gazetarët se përse nuk iu bashkua PD për t’u larguar, Kryemadhi tha se LSI vendosi që të qëndronte, pasi Luan Rama kishte një fjalë të jashtëzakonshme në emër të grupit.
“Në sallë qëndruam sepse Luan Rama kishte një fjalë të jashtëzakonshme për t’u kujtuar socialistëve të vërtetë, se vlerat e vërteta nuk janë ato që sot shfaq Rilindja. Dorëheqja e Tahirit apo dorëzimi i mandatit është qesharak se në 19 prill vrapoi në seancë të mos humbte mandatin dhe sot del dhe e heq mandatin. Është ushtar i vogël i perandorisë së drogës së Ramës dhe kërkon ti japë oksigjen Ramës dhe grupeve kriminale, është teatër fëmijëror, që nuk na hedh dot hi syve.”, tha Kryemadhi/Shqiptarja.com