Liria e shtypit; Ja si vlerësohet Shqipëria
Edhe këtë vit Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen Shqipërinë me një nivel prej 29,9 pikësh në “Indeksin Ndërkombërar të Lirisë së Shtypit 2018“ të organizatës “Reporterë pa Kufi“.
Pranë nivelit të Shqipërisë janë Serbia me 29.58 pikë dhe Kosova me 29.61. Sa më të ulta pikët në këtë indeks, aq më i lartë niveli i lirisë së shtypit. Vendin e parë në 180 vende të botës që përfshin indeksi në fjalë, e zë Norvegjia me 7.62 pikë dhe vendin e fundit Koreja e Veriut me 88.87 pikë. Në raportin „Kombe në tranzicion – 2018 të Freedom House Shqipëria klasifikohet si një vend, ku liria e shtypit është ” pjesërisht e lirë”.
Mëkate që e bëjnë shtypin në Shqipëri „pjesërisht të lirë”
Nga jashtë media në Shqipëri shfaqet mjaft dinamike: 20 gazeta ditore, 71 radio stacione, 70 stacione televizive dhe 109 televizione kabllorë dhe media të panumërta në internet. Por brenda, në thelbin e saj, media elektronike dhe ajo e shkruar rezulton një biznes për interesa ekonomike dhe politike të një grushti pronarësh, që numërohen me gishtat e vetëm një dore.
Në një raport të përbashkët të „Gazetarë pa Kufi”- Gjermani dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Shqipëri, të publikuar në Mars të këtij viti, konstatohet që pronësia e medias elektronike dhe asaj të shkruar është ” e përqendruar në duart e disa biznesmenëve të mëdhenj”. Për pasojë gazetarët për të ruajtur vendin e punës vëtë-censurohen. Vetë-censurës i shtohet edhe pavarësia e limituar e redaktorëve. Janë pronarët e mediave ata që diktojnë përmbajtjen e produkteve të gazetarëve. Sipas raportit “Kombe në tranzicion- Shqipëria 2018” të Freedom House , “ka një lidhje të ngushtë midis politikës, biznesit dhe medias” . Kjo e bën të vështirë që media të luajë rolin e saj genuin si “watch dog” , pra të mbajë nën kontroll pushtetin dhe llogaridhënien e pushtetarëve.
Prej kësaj situate buron edhe një “mëkat” tjetër. Aleksandër Çipa, analist i pavarur, kryetar i Unionit të Gazeëtarëve Profesionistë të Shqipërisë thotë për DW: “Informaliteti, puna në të zezë e gazetarëve, mungesa e kontratave të punës minon lirinë e shtypit. Informaliteti në media në Shqipëri konsiderohet më i larti në Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave të Unionit vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti ka 2 658 gazetarë të angazhuar në sektorin e medias, ndërsa numri i punonjësve është rreth 6200 persona që nuk kanë kontrata pune kolektive apo individuale dhe as janë krijuar mundësi që ata të organizohen në sindikata”
Prirja pozitive e zhvillimit të mediave të reja – në anarki dhe kaos
Shqipëria po përjeton një “boom” të mediave on line që konsiderohet një dukuri positive. Kjo ka sjellë kalimin e gazetarëve dhe të publikut nga media elektronike dhe ajo e shkruar tek media on-line gjë që e ka ndihmuar shtrirja e internetit në të gjithë vendin. Aleksandër Çipa mendon se mediat e reja po zhvillohen në anarki dhe kaos.
“Kjo mënyrë zhvillimi cënon ecjen drejt një media on-line të shëndetshme dhe funksionale. Në këtë zhvillim kaotik ulet besueshmëria dhe vlerësimi i integritetit profesional të gazetarëve. Proceset vetërregulluese në Shqipëri pothuajse lëvizin me logjikën “një hap para, dy pas”./ Ani Ruçi/DW