Ja vendimet që merr Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë
Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, përveç vendimit për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%, mori në shqyrtim dhe vendosi:
Rishikimin e dokumentit “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes”
Rishikimi i dokumentit “Politika e mbikëqyrjes së sistemeve të pagesave dhe të shlyerjes” synon ndryshimin e kritereve, mënyrën dhe frekuencën e kryerjes së klasifikimit të sistemeve sipas rëndësisë sistemike që ato paraqesin, me qëllim përafrimin me standardet evropiane.
Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Mbi raportimet në Bankën e Shqipërisë sipas Sistemit Raportues të Unifikuar”
Ndryshimet synojnë përmirësimin e mbarëvajtjes së raportimit rregullator mes Bankës së Shqipërisë dhe subjekteve raportuese, si rrjedhojë e implementimit të Sistemit Elektronik Raportues Rregullator (ERRS). Një tjetër ndryshim parashikon edhe heqjen e detyrimit të raportimit në kopje letër për subjektet financiare jobanka dhe për shoqëritë e kursim-kreditit.
Miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit”
Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, shfuqizohet një prej masave kundërciklike të vendosura fillimisht për bankat në vitin 2013, e cila përcaktonte kërkesa shtesë për kapital, në rastet e rritjes së investimeve të tyre neto në institucionet financiare jorezidente.
Shfuqizimi i kësaj mase vjen pas rënies së ritmit të investimeve me jorezidentët dhe është i nevojshëm për të siguruar përputhshmëri me objektivat dhe përcaktimet e masave për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në veprimtarinë e sistemit financiar (e njohur edhe si “paketa e deeuroizimit”).
Zgjedhjen e London School of Economics, Institute of Global Affairs si bashkëpunëtor të jashtëm të Bankës së Shqipërisë
Në bazë të këtij vendimi, Këshilli Mbikëqyrës miratoi marrëveshjen e bashkëpunimit të Bankës së Shqipërisë me London School of Economics (LSE), Institute of Global Affairs. LSE renditet në 10 universitetet më të mira në botë në fushat e financës, ekonomiksit dhe ekonometrisë si edhe në fushat legjislative, politike e atë të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ky bashkëpunim do të synojë rritjen e kapaciteteve analizuese dhe kërkimore të Bankës së Shqipërisë, thellimin e njohurive mbi zhvillimet politiko-ekonomike e financiare, si dhe mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria dhe rajoni i Evropës Juglindore në këto aspekte.
Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë.