AktualitetEkonomiNATO/BETë fundit

Buxheti i BE: Grindjet e sigurta!

Zbrazëtia pas Brexitit dhe subvencionet shtesë për buxhetin e BE-së deri në vitin 2027 e vështirësojnë financimin. Grindjet janë të paraprogramuara, sepse bëhet fjalë për para.

Negociatat për buxhetin e Bashkimin Evropian, për “Kornizën Shumëvjeçare të Financimit” (KSHM), janë gjithmonë të vështira. Por kësaj radhe ekspertët si Guntram Wolff mendojnë se vështirësitë do të jenë edhe më të mëdha. Me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja do të largohet që nga viti 2021 edhe paguesi i tretë më i madh në buxhetin e BE-së. Për periudhën 2021 – 2027 do të ketë një zbraztirë financimesh prej rreth 90 miliardë euro, pohon Komisioneri për Buxhetin Günther Oettinger. BE-ja do të ketë pra më pak para për të shpërndarë, ndaj edhe lufta për financimet do të jetë më e ashpër.

Shkurtimet

Günther Oettinger do të dëshironte të ketë një përzierje mes kursimeve dhe riorientimit të financimeve. “Në dy programe të mëdha, politika agrare dhe politika e kohezioneve, do të kemi shkurtime efektive prej 6%, në krahasim me vitin 2020”, tha Oettinger në prill në Berlin. “Për këto fusha janë ndarë më parë rreth 80% e buxhetit, ndërsa në të ardhmen do të ndahen 60%.”  Kjo do të thotë se shtetet të cilat përfitojnë shumë nga kjo mbështetje, si Polonia, Hungaria apo Greqia, duhet të përgatiten për më pak para.

EU-Kommissar Günther Oettinger (picture alliance/dpa/epa/J. Warnand) Günther Oettinger

Ndërkohë po shtohet edhe rezistenca. Qeveria polake kërkon që financimet të mos shkurtohen në rajonet më të dobëta. Irlanda angazhohet fuqishëm kundër shkurtimeve për bujqësinë. Ajo ka kërcënuar me veto. Eksperti Guntram Wolff mendon se subvencionimet për bujqësinë janë të tepërta. “Ne duhet të japim më pak për bujqësinë, ndërsa mjetet duhet të përdoren më mirë.” Wolff kritikon edhe ndihmat për rajonet me struktura më të dobëta, sepse para paguhen edhe për vendet e pasura si Gjermania apo Spanja. “Duhet parë se cilat rajone kanë vërtet nevojë dhe sa janë efektive këto financime.”

Koha po kalon

Negociatat do të jenë të vështira dhe të gjata. Për kornizën e tanishme financiare negociatat kanë zgjatur gati dy vite. Oettinger kësaj radhe pretendon që ato të përfundojnë më shpejt – brenda një viti. “Situata është e tillë që kërkohen negociata të shpejta”, shpjegon Oettinger. “Buxheti duhet të miratohet para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian.” Zgjedhjet mbahen në qershor të vitit 2019. Ndryshe votimi i buxhetit do të shtyhet tepër, për shkak të zgjedhjeve, konstituimit të PE, zgjedhjes së Komisionit të ri të BE… e gjitha kjo mund të zgjatë deri në nëntorin e vitit 2019. Ndërkohë që negociatat do të duhej të fillonin nga e para, me njerëzit e ri në postet e reja.

Kush paguan më shumë?

Buxheti për periudhën 2021 – 2027 duhet të jetë rreth 1,13 % e prodhimit bruto të vendeve të BE-së, pra rreth 1100 miliardë euro. Përkundër Brexitit të dhënat do të shtohen, sepse do të ketë edhe obligime të reja: migracioni, mbrojtja nga terrorizmi, politika zhvillimore, mbrojtja. “Ne duam të shtojmë numrin e bashkëpunëtorëve të Frontex-it nga 1.200 në disa mijëra. Këtë e mbështesin të gjitha vendet anëtare. Ndërsa sa i përket politikës së zhvillimit, më shumë para duhet të ndahen për vendet e Afrikës”, thotë ai.

Por vendet anëtare duhet të jenë të gatshme të paguajnë më shumë. Gjermania është e gatshme dhe kjo është futur edhe në marrëveshjen e koalicionit të ri qeveritar. Disa vende hezitojnë, ndërsa Holanda dhe Austria kanë refuzuar që të paguajnë më shumë.

Grindje të mëdha do të ketë edhe për çështjen e migracionit dhe shtetit juridik, si për shembull në Poloni apo Hungari. Vende si Suedia, Italia dhe Gjermania, të cilat kanë pranuar shumë refugjatë, duhet të përfitojnë më shumë. “Vendet që marrin mbi vete detyrime të mëdha duhet të mbështeten më shumë financiarisht.”
Nëse një vend nuk i respekton rregullat e shtetit juridik, siç janë gjykatat e pavarura, atëherë edhe mjetet duhet të shkurtohen, thotë Günther Oettinger. Günther Oettinger paraqiti këtë të mërkurë (02.05) buxhetin global, ndërsa në javët dhe muajt në vijim do të bisedohet për sektorë të veçantë./ Bernd Riegert/DW