Bota shpenzon dy trilionë dollarë për mbrojtje
Sipas raportit, shpenzimet e mbrojtjes të Gjermanisë arritën në 44 miliardë e 300 milionë dollarë, niveli më i lartë që nga viti 1999 dhe renditet në vendin e nëntë në listën e vendeve me buxhetin më të madh të mbrojtjes.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë listën e shpenzimeve ushtarake dhe qëndrojnë me një diferencë të madhe nga vendet pasuese.
Buxheti amerikan i mbrojtjes vitin e kaluar arriti në 610 miliardë dollarë, ose sa një e treta e investimeve të mbrojtjes në të gjithë botën dhe është 2.2 herë më i madh se sa shpenzimet ushtarake që ka bërë Kina, e cila ndodhet në vend të dytë të listës.
Shpenzimet e Kinës për mbrojtje në 20 vitet e fundit janë rritur me rreth 2.6 për qind dhe vitin e kaluar arritën në 228 miliardë dollarë. Megjithatë, ekspertët mendojnë se shpenzimet ushtarake të Pekinit janë më të larta se të dhënat zyrtare të qeverisë.
Kurse shpenzimet e Rusisë për armë, municion dhe shpenzime të tjera ushtarake kanë regjistruar rënie për herë të parë që nga viti 1998. Sipas raportit, Rusia i uli shpenzimet e saj ushtarake me 20 për qind në një vit duke i zbritur ato në 66 miliardë 300 milionë dollarë.
Në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Studimeve për Paqen me seli në Stokholm, thuhet se shkurtimet e buxhetit të mbrojtjes të Rusisë kanë ardhur si pasojë e përkeqësimit të gjendjes ekonomike në vend.
Reduktime vitin e kaluar ka pasur edhe në shpenzimet totale të mbrojtjes në vendet e Evropës, të cilat ranë me 2.2 për qind në krahasim me vitin e mëparshëm, por megjithatë pjesa që zë Evropa në pastën botërore të shpenzimeve të mbrojtjes është 20 për qind.
Në mesin e vendeve evropiane që kanë ndarë më shumë burime financiare për mbrojtjen janë Franca me 57 miliardë 800 milionë dollarë, duke zënë vendin e gjashtë në listën e SIPRI-t dhe Mbretëria e Bashkuar me 47 miliardë 200 milionë dollarë, në vend të shtatë.
Për shkak të tensioneve me Kinën vendet aziatike i kanë rritur me 59 për qind shpenzimet e mbrojtjes në dekadën e fundit.
Vitin e kaluar, 29 vende të NATO-së, shpenzuan për mbrojtjen gjithsej 900 miliardë dollarë. Kjo shumë korrespondon me 52 për qind të shpenzimeve botërore në fushën e mbrojtjes.
Arabia Saudite qëndron në krye të vendeve që harxhojnë më shumë burime për mbrojtjen, që shkon deri në nivelin e 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kurse Japonia, e cila ka buxhetin më të ulët të mbrojtjes, harxhon vetëm 0.9 për qind. /Gazeta Ekonomia