Presidenti palestinez: Hebrenjtë fajdexhinj shkaktuan Holokaustin
Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas është vendosur në qendër të vëmendjes me një deklaratë të bërë së fundmi nga Bregu Perëndimor.
Gjatë një takimi me palestinezët në këtë zonë, ai tha se vrasja masive e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore nga ana e nazistëve nuk u bë për urrejtje racore, por për shkak të aktiviteteve të tyre financiare.
Abbas i përshkroi hebrenjtë në shoqëri si njerëz me aktivitet në banka, fajde dhe mashtrime financiare.
Reagimet e para mbërritën nga Izraeli. Zëdhënësi i Kryeministrit Benjamin Netanjahu i cilësoi deklaratat si antisemite dhe patetike.
“Mahmoud Abbas thotë se huadhënësit hebrenj shkaktuan Holokaustin. Tani po që kemi një partner paqeje këtu”, shkruan ai në Tëitter.
Deklarata ka provokuar reagime edhe në Shtetet e Bashkuara nga organizata hebraike.
Të paktën 6 milionë hebrenj u vranë nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe shumë të tjerë u larguan fillimisht nga Gjermania dhe më pas nga e gjithë Europa për t’i shpëtuar vdekjes.
Të udhëhequr nga nacionalizmi ekstrem, nazistët i konsideronin hebrenjtë si kërcënim për “pastërtinë racore” të Gjermanisë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore ndërtuan disa kampe persekutimi, më famëkeqi prej të cilëve ai i Aushvicit në Poloni./ Top Channel