OSHEE: Në janar-mars zbritën në 27.7 për qind, rritje dhe tek arkëtimet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë raportoi se humbjet në rrjetin e shpërndarjes kanë zbritur në 27.7%, nga rreth 50% që ishte ne vitin 2013. Duke i krahasuar humbjet me 3-mujorin e parë 2017, të dhënat tregojnë se kemi një reduktim me 2.5 pikë përqindje. Por ecuria e reduktimit të humbjeve ka qenë më pozitive në mars i cili u mbyll në masën 0.6% më pak se norma e planifikuar (plan 27.9%).
“Arkëtimet vijojnë trendin pozitiv, me nivel të hyrash në arkën e OSHEE prej 17.8 miliardë lekë, ose mbi 650 milionë lekë më tepër se 3-mujori i parë 2017. Theksojmë gjithashtu se, tremujori 2018, shënon rritje të ndjeshme të arkëtimeve me vonesë (deri në 90 ditë), krahasuar me 3-mujorin 2017, 2.5% ose rreth 400 milionë lekë më tepër” thuhet në njoftimin e OSHEE.
Kompania bëri me dije se edhe treguesit e borxhit kanë ndjekur një trend pozitiv ku referuar shifrave “Borxhi i keq Principal, për fatura 2007-2014, arriti në 47.8 miliardë lekë në fund të muajit mars, nga 67.8 miliardë që ishte në fund të vitit 2014, pra kemi reduktim në masën 29.5%
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dha detaje edhe për ecurinë e aktmarrëveshjeve të lidhura me abonentët që kishin detyrime të prapambetura.
“Aktmarrëveshjet vijojnë të lidhen, ku prej dhjetorit 2014 e deri në fund të marsit kemi mbi 400 mijë kontrata të nënshkruara midis OSHEE dhe abonentëve. Vlen të theksojmë se 345,800 e abonentëve debitorë kanë pranuar ta paguajnë direkt debinë me një këst, duke përfituar reduktim kamate me 70 dhe 80%” thuhet në njoftimin e OSHEE.