AktualitetBota+Op-EdTë fundit

Koment: Dekreti i pabesë i Assadit

Hapi i parë i Bashar al-Assadit qe arrestimi i kundërshtarëve të tij, pastaj bombardimi ose vrasja, tani ai kërcënon se do t’i shpronësojë të ikurit. Ajo që bëhet e qartë është: një paqe me Assadin është e pamundur.

Që prej shtatë vjetësh despoti sirian Assad ka mundësi të bëjë çfarë të dojë nën sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht që veprat e tij dënohen dhe ka ankesa te aleatët e tij. Por ai vazhdon të veprojë edhe më tej me metoda, të cilat mund të karakterizohen vetëm si krime lufte. Tani vjen një strategji e re, jo e panjohur nga historia: Assadi urdhëroi të miratohet një dekret në parlament, me ndihmën e të cilit do të shpronësohen miliona sirianë të arratisur.

Ky dekret është një dhuratë e Assadit për aleatët e tij Iran dhe Hisbollah, sepse ai ofron mundësinë që të furnizohen njerëzit e tyre me pasuri të paluajtshme me çmime të leverdisshme. Njëkohësisht ai është një dënim kolektiv për të gjithë ata, të cilët kanë protestuar dikur kundër Assadit dhe të cilët nga frika për jetën e tyre braktisën vendin. Por edhe ata, të cilët u ndodhën mes fronteve dhe kërkuan mbrojtje jashtë vendit në këtë mënyrë ndëshkohen.

Mënyrë sistematike veprimi

Në mënyrë të paskrupullt tani zbatohet faza e fundit e një mënyrë sistematike veprimi: më parë qytetet ose lagjet i rrethuan, pastaj pjesën më të madhe të tyre i rrafshuan (si qytetin tim të lindjes Homs në vitin 2012). Tani nxirret një ligj, me të cilin synohet të krijohen raporte të reja pronësore. Dhe vetëm mbi bazën e tyre do të hartohen pastaj plane të reja ndërtimi për qytetet e shkatërruara.

Assadi, i cili preferon t’i japë vetes pamjen e një demokrati, megjithatë tregohet bujar: ai u jep të prekurve 30 ditë kohë për të dëshmuar pronën e tyre. Por për mua dhe sirianë të tjerë, vetëm hyrja në aeroport do të ishte e barabartë me një arrestim. Dhe meqenëse për mua si dhe për shumë sirianë të tjerë, liria është më e rëndësishme se pasuria, me siguri që askush nuk do të kthehet.

Deri tani ka qenë para së gjithash popullata civile e Sirisë që vuante nën krimet e Assadit. Kurse tani të prekura janë edhe vendet që kanë pranuar qindra mijëra ose madje miliona sirianë të arratisur. Nëse këtyre njerëzve u grabisin bazën e jetesës, ata nuk kanë mundësi të kthehen pas luftës. Kjo në një kohë kur asnjëri nga shtetet që i kanë pranuar refugjatët nuk pati llogaritur një qëndrim të përhershëm të këtyre njerëzve. Jo më kot, shumica e sirianëve të arratisur në Gjermani morën vetëm të ashtuquajtur status të mbrojtjes subsidiare (të përkohshme.)

Një e ardhme me Assadin bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë

Samir Matar  

Samir Matar

Me pranimin e qindra-mijëra sirianëve, qeveria gjermane dha një kontribut të madh për mbështetjen e shteteve fqinje Turqi, Liban, Jordani. Në konferencën e donatorëve javën e kaluar, ministri i Jashtëm Heiko Maas premtoi edhe një miliardë tjetër euro për rindërtimin e Sirisë. Por për aq kohë sa është në pushtet Assadi dhe për sa kohë ka mundësi që të miratojë dekrete, Evropës do t’i duhet të paguajë një çmim shumë më të lartë.

Qeveria gjermane mund të zemërohet për lajmet më të fundit – po si mund t’i pengojë ajo planet e Assadit? Deri tani ajo nuk pati mundësi të ndalonte as vrasjen dhe torturat e civilëve sirianë. E njëjta gjë vlen edhe për OKB-në, të cilën do që ta angazhojë Ministria e Jashtme. Të vetmit, të cilët mund ta ndalonin Assadin që t’i vinte në jetë planet e tij janë rusët. Por ata nga ana tjetër reagojnë vetëm nën presion dhe kush mund ta ushtronte atë? Amerikanët, bie fjala që nuk kanë një strategji për Sirinë deri më sot? Assadi e di që nuk ka pse të ketë frikë nga asgjë.

Bashkësia Ndërkombëtare duhet të reagojë më në fund, sepse kjo është në interesin e saj të mirëfilltë dhe të mësojë nga gabimet e viteve të shkuara. Një zgjidhje për Sirinë me Assadin nuk mund dhe nuk duhet të ketë./ Samir Matar/DW