2017, regjistrohen 12.3% marka më shumë; KE, shqiptarët falsifikikojnë
Javën e shkuar u shënua Dita Botërore e Pronësisë Intelektuale. Në Shqipëri, është një ndër fushat të cilat kanë raste të shumta konflikti tregtar, ashtu sikurse edhe zgjerim të ndërgjegjësimit për mbrojtje duke u regjistruar.
Në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, pasi kjo e fundit mori dritën jeshile për hapjen e bisedimeve të pranimit, ka një kapitull të veçantë për pronësinë intelektuale, për të cilin vlerësohet se Shqipëria ka bërë disa përparime.
“Pas rekomandimeve nga Komisioni Europian në raportin e saj të mëparshëm, disa përparime u bënë veçanërisht në zbatimin e Ligjit për të Drejtën e Autorit 2016.”
Raporti thekson se, në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti:
- Të vazhdojë të përafrojë legjislacionin e saj mbi të drejtën e autorit dhe pikat fqinje
me BE-në - Të përmirësohet funksionimi i agjencive të menaxhimit kolektiv dhe pagesa e honorareve
për mbajtësit e të drejtave. - Në fushën e së drejtës së autorit dhe të drejtat tregtare duhet zbatimi i ligjit të 2016
(Ligji kishte për qëllim afrimin e Shqipërisë me direktivat përkatëse të BE)
“Në mars 2017, Kodi Penal është ndryshuar për të përmirësuar mekanizmat ligjorë dhe për të trajtuar më mirë shkeljet e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe tregtare, e cila tashmë ka sjellë rezultate pozitive dhe pritet të intensifikojë më tej veprimet kundër shkeljeve në këtë fushë”- thuhet më tej në raport.
Sipas të dhënave të raportit bëhet e ditur se në 2017, aplikacionet për regjistrimin e markave tregtare u rritën me 12.3% në krahasim me 2016 dhe kërkesat për patentat dhe modelet e përdorimit u rritën me 16%. Gjatë raportimit, pati edhe 54 procese gjyqësore në këtë fushë.
Me gjithë përparimet në këtë fushë, KE thotë se ende ka shqetësime në lidhje me numrin e madh të produkteve të falsifikuara në vend.
Sipas të dhënave të raportit të fundit, për të gjithë vitin 2016, DPPM shënoi numrin më të madh ndër vite të aplikimeve për regjistrim të markave tregtare dhe patentim të shpikjeve. 1055 aplikime për regjistrim markash tregtare dhe 23 aplikime për patenta mbi shpikjet dhe 4 aplikime për modele përdorimi nga shpikësit shqiptarë.
“Në vitin e fundit, DPPI shënoi rekord të aplikimeve të huaja dhe vendase, duke i dyfishuar dhe trefishuar ato në krahasim me tre apo katër vite më parë. Në mënyrë të veçantë janë inkurajuar shpikësit shqiptarë. DPPI ka bërë përpjekje për t’i identifikuar ata dhe i ka ftuar të paraqiten pranë DPPI për mbrojtje të shpikjeve të tyre. Gjithashtu janë prezantuar edhe lehtësitë ligjore që përfitojnë shpikësit që ndjekin studimet universitare, pensionistët ose personat me aftësi të kufizuara në lidhje me tarifat e reduktuara prej vetëm 100 lekësh, me qëllim nxitjen e tyre për aplikim pranë DPPI”, – ka thënë Elvin Lako, kreu i DPPI, në një prononcim të mëparshëm për “Monitor”.