Zhvlerësimi i euros dhe historia 100 vjeçare e skandaleve financiare të Bankës së Shqipërisë
Historia e Bankës së Shqipërisë është histori e skandaleve financiare. Që prej themelimit të saj si shoqëri aksionare, skandalet filluan me largimin e aksionerëve britanikë dhe francezë, që ja lanë paketën e aksioneve italianëve.
Disa vite më vonë, dy të huaj, jashtë sistemit bankar, krijuan skemat Ponzi, kryesisht në qytete të tilla si Korça, Shkodra, Vlora, Tirana, etj., skema që përfunduan në një skandal financiar, ku u përfshinë ku më shumë dhe ku më pak edhe institucionet publike të asaj kohe.
Më tej skandalet vazhduan me menaxhimin e kredisë italiane dhënë midis dy luftrave botërore për zhvillimin e vendit, por që përfundoi me një urdhër mbretëror për ndërtimin e atyre që sot i njohim si ministritë e bulevardit kryesor të kryeqytetit.
Në vitin 1939, Mbreti Zog largohet në prag të pushtimit italian me një shumë mjaft të madhe të hollash në valutë të huaj dhe në stoli në ar dhe argjend, e mjaftueshme që ai dhe familja e tij dhe shpurra mbretërore, t’ia kalonin jetës së tyre në mërgim pa asnjë kokëçarje për rreth 20 vite.
Më pas, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Banka e Shqipërisë u bë pre e plaçkitjeve të pasurive kombëtare nga pushtuesit dhe kajmekanët e tyre dhe nuk mjaftoi me kaq, por më shumë se dymijë kilogramë flori dhe pasuri të tjera të popullit shqiptar përfundojnë si peng për shkak të çështjes së Kanalit të Korfuzit, peng që Britania e Madhe e këmbeu me rreth 35 milionë dollarë pas rënies së regjimit komunist.
Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, nga të dhëna shumë të sigurta, Britania e Madhe ka financuar lëvizjën popullore në Shqipëri.
Në krahun e Partisë Komuniste përgjegjës i thesarit i lëvizjes nacionalçlirimtare ishte caktuar Jorgo Plaku, vëllai i ish-ministrit pa portofol dhe drejtorit të kufirit, gjeneralit Panajot Plaku, vëllai i inxhinerit të naftës Kalo Plaku dhe vëlla i drejtorit të fermës së Sukthit, Koço Plaku, të katër këta të eliminuar nga Enver Hoxha për shkak të aftësive të tyre dhe reputacionit që gëzonin në popull.
Jorgo Plaku ishte komandan i Çetës Plakë të Korçës, mbi bazën e së cilës u krijua Brigada e Parë Sulmuese, ku Jorgo Plaku u caktua që në krijim të saj si komisar dhe Mehmet Shehu si komandant.
Të dy këta persona ishin dhe të vetmit anglishtfolës në Partinë Komuniste të asaj kohe. Pas formimit të Brigadës së Parë Sulmuese, Enver Hoxha jep urdhër për vrasjen me atentat në Jorgo Plakut, pasi e shikonte këtë person si konkurrentin më të fortë të tij personalisht. Bashkë me eliminimin e Jorgo Plakut, një nga figurat më të rëndësishme të luftës së popullit shqiptar për çlirim, u eliminuan edhe të dhënat për financimet në stërlina dhe valutë tjetër të huaj që Britania e Madhe ka dhënë për popullin shqiptar gjatë viteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe jo vetëm kaq, por nga paratë e anglezëve nuk mbeti asnjë gjurmë, kur dijeni të plotë për to përveç Jorgo Plakut kishte vetëm Enver Hoxha.
Më tej, gjatë viteve 1945-1955, regjimi diktatorial godet pa asnjë pikë mëshire shtresën e tregtarëve dhe ndërmarrësve shqiptarë, duke sekuestruar nëpërmjet një vale të paskrupullt hakmarrjesh, vrasjesh, arrestimesh, persekutimesh, etj., pasuri e vlera monetare të pallogaritshme, që në më të shumtën e rasteve përfundoi në xhepat e atyre që u morrën me këtë proces, në vend që të shkonin në arkën e shtetit.
Dhe nga pjesa e asaj pasurie që përfundoi në arkën e shtetit, pati abuzime skandaloze, deri edhe në dërgimin jashtë shtetit të floririt të shqiptarëve në favor të personave të caktuar.
Përgjatë viteve 1965-1985, një pjesë e mirë e pasurisë kombëtare, që në atë kohë administrohej në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ana e Bankës së Shqipërisë shkonte për financimin e partive komuniste në vende të ndryshme të botës, së bashku me armatime, veshje e pajisje të ndryshme si dhe për prodhimin e materialeve propagandistike për këto grupe që në fakt në themel ishin grupe anarkiste dhe ndoshta edhe me natyrë terroriste.
Në fund të viteve 1980, një njësi speciale e Bankës së Shqipërisë ka luajtur në tregjet ndërkombëtare të kapitalit (në bursa të ndryshme), duke regjistruar humbje mjaft të mëdha për ekonominë kombëtare, të llogaritura në disa qindra milionë dollarë amerikanë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.
Në periudhën midis viteve 1991-1993, Banka e Shqipërisë nga një njësi e vetme që menaxhonte financat dhe paratë e popullit shqiptar, ndahet në tre njësi, Banka e Shqipërisë, Banka Kombëtare Tregtare dhe Banka e Kursimeve.
Nga këto, Banka e Shqipërisë është ajo që luan tashmë rolin e Bankës Qendrore, ndërsa Banka Kombëtare Tregtare u privatizua nga Kent Bank, kur kjo bankë turke ishte në ditët më të këqija të saj, duke qenë edhe nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të qeverisë turke.
Ndërsa, Banka e Kursimeve, me pothuajse 90 për qind të kursimeve të qytetarëve shqiptarë, me rreth 65 për qind të numrave të llogarive të bizneseve dhe me disa qindra degë e zyra në tërë territorin e vendit privatizohet tërësisht, pas një kalvari disa vjeçar dështimesh radhazi të procedurave të privatizimit.
Listës së skandaleve nuk mund t’i hiqet periudha e famshme e firmave piramidale, që jashtë sistemit financiar zyrtar, operonin sikur të ishin banka investimesh, por me të vetmin ndryshim që nuk kishin licensë. Në tërë këtë gjullurdi financiare e parash që gjezdisnin në mes të ditës në shi e në diell e në mes të natës me dhe pa hënë, një pjesë shumë të madhe të fajit dhe gabimeve trashanike e ka Banka e Shqipërisë.
Më pas, pothuajse pas pesë vitesh, plas skandali i printimit të kartmonedhave 5,000 lekëshe të Bankës së Shqipërisë, një procedurë tenderimi tepër e dyshimtë, pas së cilës e drejta për printimin e kartmonedhave me prerjen më të madhe të ekonomisë shqiptare iu dha një firme e cila në atë kohë nuk kishte as teknologjinë më të mirë të përgatitjes së letrës për prodhimin e kartmonedhave dhe as teknologjinë për prodhimin e makinave për kontrolin e këtyre kartmonedhave.
Pothuajse pas pesë vitesh të tjera, plas skandali i thesarit të Kërrabës, ngjarje e cila i kushtoi popullit shqiptar miliona dollarë humbje në monedha floriri dhe gjithashtu humbje imazhi në mjediset e rëndësishem financiare ndërkombëtare.
Më tej, sikur të mos mjaftonin tërë këto ngjarje, pas shumë muajsh veprimtarie kriminale, punonjës të nivelit të ulët të Bankës së Shqipërisë arrestohen për shkak të abuzimeve dhe vjedhjeve të kartmonedhave me prerje të madhe, skandal që bëri kurban edhe vetë kreun e Bankës së Shqipërisë, Governatorin e asaj kohe.
Skandali i radhës vazhdoi me rritjen e presionit qytetar që detyroi tre anëtarë të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë të jepnin dorëheqjen, duke përshpejtuar procedurat e emërimit të Governatorit të radhës, që është edhe ai aktual, përzgjedhur me një procedurë tepër të diskutueshme, me veton e Presidentit të asaj kohe dhe me votimin minimalist në Kuvend.
Pak muaj më vonë, plasi skandali i radhës,kur publiku mësoi se për një periudhë 3-4 vjeçare numri i punonjësve të Bankës së Shqipërisë nga rreth 200 ishte shtuar në rreth 400, të tërë këta bashkëshortë, fëmijë, nipa e mbesa të ministrave e deputetëve tanë, që përfitojnë përveç pagave të majme edhe dhurata e shpërblime për festa kombëtare dhe fetare dhe ditëlindje e martesa e fejesa si dhe udhëtime deri në pesë herë në vit me paratë e popullit.
Paralelisht plasi edhe skandali i pakësimit në Bankën e Shqipërisë edhe i vlerave pasurore në flori dhe mjete të tjera vlerore – pasurore jo monetare, pakësimi i të cilave u ‘argumentua’ me shitjen me leverdi në tregun ndërkombëtar, pasi ‘në periudhën kur janë shitur vlera e tyre ishte në rënie dhe në arkën e shtetit paska hyrë valutë e huaj me shumicë’.
Tashmë, prej më shumë se 2-3 muajsh, debati për zhvlerësimin e euros trajtohet si skandali i radhës, jo për faktin se thjesht po zhvlerësohet euro, por për faktin se kjo dukuri ndikon shumë interesa në Shqipëri, interesa me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar.
Shqipëria është një vend i vogël dhe një lëvizje sadopak e parametrave emocionalë që lidhen drejtpërdrejt apo jo me paratë, ndikon në jetën e përditëshme të qytetarëve dhe në sjelljen e tyre karshi qeverisjes, kjo sipas gjendjes psikologjike dhe nxitjeve të valës së kërkesave qytetare ndaj pushtetarëve dhe administratës publike.
Euro, për një periudhë 90 ditore ka rënë nga rreth 140 lekë në rreth 128.7 lekë së fundmi. Kjo shqetëson shumë grupe dhe individë.
Biznesi prodhues, punëtorët, eksportuesit, ofruesit e shërbimeve, sektori bankar, kompanitë e sigurimeve, fermerët, qytetarët që kanë kursime në para shqiptare dhe në valutë të huaj, investitorë të huaj që janë në Shqipëri dhe që duan të vijnë në vendin tonë të gjendur përballë një situate krejt ndryshe nga që i kishin bërë llogaritë.
Ata që do fitonin po humbasin dhe ata që mendonin se do humbsnin po dalin pak e nga pak ‘fitimtarë’.
Teorikisht, zhvlerësimi i kontrolluar i parasë vendase nxit eksportet dhe rritja e vlerës së parasë vendase, zhvlerësimi i valutës së huaj nxit importet.
Banka e Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare duket qartazi se në këtë periudhë po gjenden në një ngushticë si Uliski midis Skiles dhe Haribdit.
Këtej duhen mbajtur ulur çmimet e produkteve dhe shërbimeve, kryesisht ushqime dhe mallra konsumi të përditshëm, për të cilat jemi pothuajse importues neto, për të mbajtur nën kontroll edhe inflacionin, dhe kjo arrihet për periudhën afatshkurtër duke zhvlerësuar euron, pasi partnerët tregtarë kryesorë të Shqipërisë janë vendet e Bashkimit Evropian dhe nga ana tjetër, ka një dëshirë për të shtuar eksportet, sepse vetëm nëpërmjet eksporteve, kryesisht bujqësore, minerale dhe energji mund të sjellim në vend valutë të huaj, sepse turizmi nuk është aq i zhvilluar sa të gjenerojë valutë aq sa i duhet vendit për zhvillim të qendrueshëm ekonomik.
Një qasje afatmesme dhe afatgjatë kjo për ekonominë shqiptare. Personalisht, nëse do isha në pozitën e vendimmarrësit do veproja kështu: në periudhën e fillim vjeshtës e deri në të dalë të dimrit do e rrisja vlerën e parasë së huaj, sepse gjatë kësaj periudhe ekonomia shqiptare pothuaje nuk prodhon asnjë gjë prej gjëje dhe në këtë periudhë, që në fillim të vjeshtës e deri në të dalë të dimrit, sektorët e ekonomisë shqiptare kanë nevojë për faktorë dhe burime prodhimi, lëndë të para, makineri dhe pajisje, që kryesisht importohen dhe duhen marrë me çmime të leverdisëshme.
Në periudhën e fillimit të pranverës deri në fillim vjeshte do mbaja në norma relativisht të ulëta vlerën e parasë vendase në mënyrë që të shtoja eksportet, sepse faktikisht kjo është edhe periudha kur ekonomia shqiptare prodhon produkte bujqësore dhe blegtorale, minerale dhe energji elektrike, që janë edhe produkte mundshmërisht të eksportueshme.
Kjo është dhe mbetet balanca ideale për ekonominë shqiptare për një periudhë të gjatë kohe, aq sa të na lejojë që të kemi një ekonomi që nuk është sezonale dhe që nuk ndikohet nga ciklet e biznesit me bazë politikën.
Nëse e thellojmë analizën, nuk mund të lemë pa përmendur edhe faktorin ‘fuzion’ i parasë së huaj, kryesisht euro në rrugë ilegale, rrjedhojë e veprimtarive kriminale, ilegale të trafikut të produkteve psikotrofe, produkteve ushtarake, substancave sensitive kimike dhe radioaktive, trafikut ilegal të qenieve njerëzore, kalimit të mallrave të akcizës në mënyrë të paligjshme në doganë, etj., si dhe padyshim edhe dëshirën e madhe të shqiptarëve që sapo u vjen dikush në vendin e tyre të emigrimit, i japin disa para për t’ia shpënë në shtëpi, duke shmangur sistemin bankar.
Konkretisht, sipas burimeve të Bankës së Shqipërisë, vetëm në disa muaj të fundit kanë kaluar nëpërmjet sistemit financiar rreth 125 milionë euro nga Italia në Shqipëri, prurje të emigratëve, shifër që padyshim është shumë shumë larg asaj që në të vërtetë emigrantët sjellin nga Italia në Shqipëri.
Nuk mund të lihet pas dore edhe ndikimi i agjentëve ekonomikë që janë të orientuar nga veprimtaria import-eksport, tentativat e agjenturave të huaja për minimin e ekonomisë shqiptare, duke synuar moszhvillimin e sektorit të bujqësisë, që mbetet të jetë, teorikisht dhe praktikisht, motorri i vetëm ekonomisë shqiptare, që mund të verë në lëvizje agrobiznesin dhe më tej turizmin, për të krijuar një trinom mbi bazën e të cilit mund të arrijmë që të bëjmë ekonominë tonë kombëtare, etj.
Të gjithë këta faktorë as që mund të pretendohet që të mbahen nën kontroll nga ana e punonjësve të Bankës së Shqipërisë, edhe në rastin sikur këta të jenë atdhetarët më të mëdhenj të kombit shqiptar, gjë që unë personalisht e kam vënë në dyshim publikisht prej kohësh.
Sidoqë të jetë, pa krijuar një shtresë të mesme në Shqipëri, vështirë se do të mund të zhvillojmë ekonominë në mënyrë të qendrueshme dhe shumë vështirë do e kemi për të qendruar larg debateve për rënien apo rritjen e vlerës së parasë vendase apo të huaj në treg.
Krjimi i shtresës së mesme, shtresës që punon, investon në ekonomi, realizon produkte dhe shërbime, që përpiqet për përmirësimin e cilësisë së jetesës, që investon në edukim dhe shëndetin individual dhe familjar, etj., krijon kushtet që të ngushtohet laku i korrupsionit, mitmarrjes dhe paligjshmërisë dhe ekonomia gradualisht të hyjë në hullitë e ligjërimit të veprimtarisë, llogaridhënies, kryerjes së pagesave tërësisht nëpërmjet sistemit financiar, etj.
Kjo bën që edhe abuzimet me kursin e këmbimit të kufizohen dhe luhatja e parasë në treg të jetë sipas kërkesës dhe ofertës pa ndërhyrje të dukshme nga jashtë sistemit politik ekonomik dhe social të qendrueshëm. /Gazeta Ekonomia
—
Autor: Dr. Enriko Ceko – Është Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Shkenca Sociale, Universiteti ‘Wisdom’, Tiranë.