Xhafaj: Që “Peshqit e mëdhenj”, të përfundojnë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i ndalur në qytetin e Korçës, i është përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës.
Ai ka theksuar nga Korça, se llogaridhënia e Policisë së Shtetit përballë qytetarëve është një fakor i rëndësishëm për rendin dhe qetësinë. Në “Forumin Qytetar për Siguri Publike”, Xhafaj ka thënë se praktika të kësaj natyre, janë të zakonshme në vendet e BE-së”.
Duke u ndaluar tek lufta kundër krimit të organizuar, ai theksoi se shumë çështje nën hetim kanë avancuar.
“Ju korçarët jeni nga më të shëtiturit që në origjinë dhe e dini shumë mirë se si kanë funksionuar dhe si funksionojnë disa gjëra jashtë nesh. E dini shumë mirë marrëdhënien që njerëzit kanë me policinë. Fakti që vetë qytetarët vendosen në ruajtje të qetësisë, të rendit, praktika të kësaj natyre, si kjo që ne po duam të ndërtojmë, janë të zakonshme në vendet e BE-së”, nënvizoi ministri.
Xhafaj ndaloi tek lufta kundër krimit të organizuar, dhe theksoi se shumë çështje nën hetim kanë avancuar, në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
“Krimi i organizuar cenon sigurinë kombëtare, pronën dhe jetën, cenon, pengon zhvillimin ekonomik, jetën sociale të shoqërisë edhe imazhin e vendit. Ne jemi fort të angazhuar. Kemi ndërmarrë një operacion shumë konkret, operacionin “Forca e Ligjit”. Kemi evidentuar grupet kriminale që veprojnë në territor, brenda dhe jashtë territorit të vendit. Kemi goditur një pjesë të tyre. Kemi një sërë hetimesh të rëndësishme me Task Forcat që janë në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit”, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të goditur shumë shpejt një pjesë të këtyre grupeve kriminale”, u shpreh ministri Xhafaj.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për procesin e Vetting-ut, ministri tha se në radhët e Policisë së Shtetit ka një shumicë dërrmuese, burra dhe gra, djem dhe vajza të pakorruptuar, të ndershëm, të përkushtuar, të përgjegjshëm, që nuk janë thjesht për një punë të zakonshme, por janë në një shërbim të veçantë, ndaj vendit dhe qytetarëve.
“Besimi tek polici është i rëndësishëm, se është besimi te shteti. Po a është ky një proces që e dëmton policinë? Jo, unë nuk besoj. Besoj fort që e ndihmon Policinë. Pjesa tjetër që është folur për një ngarkesë etj, është e gjitha një spekulim. Është një spekulim i qëllimshëm. E para, sepse ne e kemi ndërtuar këtë proces që të jetë sa më i lehtë dhe i mbështetur nga pikëpamja e trajnimit, e asistencës. E dyta, sepse ne e kemi lehtësuar nga të gjitha llojet e detyrimeve që kanë për të mbledhur dokumente pa fund. Këto Agjenci të rëndësishme ligjzbatuese si Policia, Prokuroria e Gjykata që jep drejtësi, nëse janë misione të ndershme e të afta profesionalisht, nuk korruptohen nga politika dhe zyrtarët e shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që do çojë në pritshmërinë e lartë për t’u dhënë më pas ndëshkimin e duhur gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me pushtetin ose siç i quani ndryshe ju me të drejtë ‘peshqit e mëdhenj’. Sepse që ”peshku i madh” të përfundojë aty ku duhet, duhet të ketë rrjetë, dhe rrjeta janë Policia-Prokuroria-Gjykata. Pa këto të treja nuk është e mundur. Pasi nëse njëra prej tyre nuk funksionon, nuk funksionon i gjithë sistemi”, tha Xhafaj.
Forumet Qytetare për Siguri, me në krye ministrin e Brendshëm, janë mbajtur më herët në qytetin e Elbasanit, Dibrës, Fierit e Beratit. Pas 12 qarqeve, llogaridhënia e policisë do të shtrihet në javët e ardhshme në 61 bashkitë në vend.