Rama në Panairin e Punës: Vende pune ka, jo kafe me lekët e prindërve
Në Ditën Ndërkombëtarëve të Punëtorëve, kryeministri Rama ka inspektuar panairin kombëtar të punës të hapur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësuesit e kompanive, Rama u njoh me kërkesat dhe numrin e punonjësve për punësim që kanë nevojë këto biznese.
Rama ka pyetur përfaqësuesit e tyre nëse kanë kërkesa dhe për sa punonjës kanë nevojë dhe në disa raste, u është përgjigjur atyre në shenjë ironie se njerëzit duan “punë shteti”.
Kreu i qeverisë, më pas theksoi se të rinjtë dhe interesuarit për punë, kanë një mundësi më shumë në sektorin privat, ndonëse e pranoi se pagat janë të ulëta.
“Në sektorin privat është e mundur të punësohesh me një pagë që është me e lartë se mesatarja e ndihmës ekonomike. Puna nuk vjen në shtëpi, puna nuk është vetëm punë shteti, punë ka. Rëndësi ka që të funksionojë si një forcë e madhe lëvizëse drejt sektorit privat, – u shpreh Rama për mediat. – Pagat duhet të rriten, por që të ndodhë kjo duhet të rritet ekonomia dhe që të punojmë të gjithë fort së bashku. Në këtë panair ka paga të ulëta, ka paga mesatare e ka paga të larta, pasi ka kompani që kërkojnë menaxher. Rritja e mundësive për punë është reale, por duhet të punojmë me një psikologji të rëndë, për të shmangur mendësinë, më mirë me një punë shteti, ose në kafe me lekët e mamit e babit që i thonë kryeministrit na gjej punë”, – shtoi ai.