AktualitetBota+Të fundit

Bëhen publike, pyetjet e prokurorit të posaçëm për presidentin Trump

Presidenti Donald Trump e quajti “të turpshëm” faktin që një listë me pyetje që dëshiron t’i bëjë atij prokurori i posaçëm, i cili po heton rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, ka rrjedhur në media.

Gazeta New York Times publikoi mbrëmë vonë rreth 60 pyetje që iu dorëzuan avokatëve të zotit Trump, ku kërkohet të dihet rreth motiveve të presidentit për shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey majin e kaluar dhe për kontaktet midis zyrtarëve të fushatës Trump dhe rusëve.

“Është e turpshme që pyetjet në lidhje me këtë gjueti shtrigash rrjedhin në media”, shkruante Presidenti Trump sot në mëngjes në Twitter. Nuk ka bashkëpunim të fshehtë me rusët, ky është një krim i sajuar dhe i paqenë. Është një hetim që fillon me rrjedhjen e paligjshme të një informacioni të klasifikuar,” shkruan Presidenti Trump.

Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur e ka quajtur hetimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller një “gjueti shtrigash” dhe këmbëngul se nuk ka patur asnjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë. Ai gjithashtu ka akuzuar drejtorin e shkarkuar të FBI-së James Comey për rrjedhje të informacionit të klasifikuar. Zoti Mueller u caktua nga zëvendës prokurori i Përgjithshëm për të mbikëqyrur hetimin pas shkarkimit të zotit Comey nga Presidenti në maj 2017.

Edhe pse ekipi i zotit Mueller u ka deklaruar avokatëve të zotit Trump se Presidenti nuk shihet si objek i hetimit, hetuesit janë të interesuar të dinë nëse veprimet e presidentit përbëjnë pengim të drejtësisë, prandaj synojnë ta intervistojnë atë për disa episode gjatë presidencës së tij.

Shumë nga pyetjet e zbuluara nga gazeta Nju Jork Tajms mbi çështjen e pengimit të drejtësisë, kanë të bëjnë me reagimin e Presidentit lidhur me faktin që Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions vendosi të heqë dorë nga mbikqyrja e hetimit për Rusinë, vendim i cili u kritikua me zemërim nga zoti Trump.

Pyetjet gjithashtu lidhen me ndërhyrjen ruse dhe nëse fushata e zotit Trump ka koordinuar disa veprime të saj me Kremlinin. Në njërën prej pyetjeve, sipas gazetës, zoti Mueller kërkon të dijë se çfarë informacioni kishte zoti Trump mbi përpjekjet e stafit, duke përfshirë ish kryetarin e fushatës Paul Manafort, për t’u lidhur me Moskën.

Prokurori i posaçëm Mueller ka ngritur disa akuza kundër zotit Manafort, por asnjëra nuk lidhet me shkelje që kanë të bëjnë me ndërhyrjen ruse në zgjedhje.

Pyetjet kanë të bëjnë edhe me bizneset e zotit Trump si dhe me bisedat e tij me avokatin personal, Michael Cohen, për një marrëveshje të mundshme për çështje pronash në Moskë.

Një tjetër pyetje kërkon të dijë se çfarë diskutimesh mund të jenë bërë për “ndonjë takim të mundshëm me Presidentin rus Vladimir Putin”.

Pyetje të tjera, sipas gazetës lidhen me atë se farë dijenije mund të ketë patur presidenti rreth një përpjekjeje të mundshme të dhëndrit të tij, Jared Kushner, për të hapur një kanal të fshehtë komunikimi me Rusinë përpara inaugurimit të Presidentit Trump.

Pyetjet kanë të bëjnë edhe me ish-këshilltarin e zotit Trump, Michael Flynn, i cili ka pranuar fajin se ka gënjyer FBI-në rreth bisedave të tij me ambasadorin rus Sergej Kislyak mbi sanksionet kundër Rusisë gjatë tranzicionit të presidencës./VOA