Rusi: “Çernobil lundrues”‘, nis rrugën drejt Siberisë
Reaktorët binjakë të një centrali atomik lundrues u nisën nga port i Shën Petersburgut për një udhëtim të gjatë për në Siberi. Ambientalistët paralajmërojnë për një “Çernobil lundrues”.
I ashtuquajti central bërthamor lundrues u nis nga kantjeri i Shën Peterburgut në drejtim të një baze ruse në Detin Arktik. Centrali atomik lundrues “Akademik Lomonsov” i cili u ndërtua në portin e Shën Petersburgut, do të bëjë javët e ardhshme një udhëtim të gjatë nëpër Detin Baltik dhe Detin e Veriut duke kaluar në veri të Norvegjisë deri sa të arrijë në portin e Murmanskut. Aty dy reaktorët e centralit lundrues do të pajisen me mbushje atomike, i tha Pavel Ipatov, përfaqësues i sipërmarrjes së centraleve bërthamorë Rosenergoatom agjencisë së lajmeve Tass. Në Murmansk është e stacionuar pjesa më e madhe e flotës veriore të Rusisë si dhe shumica e nëndetëseve me mbushje bërthamore.
Nga Murmansku anija do të vazhdojë drejt Lindjes së Largët të Rusisë dhe bregdetit të Detit Arktik në zonën e Shukotkës. Aty ajo pritet të nisë funksionimin në vitin 2019. Plani është që centrali atomik lundrues të furnizojë me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm punëtorët e impianteve për nxjerrjen e naftës në Detin Arktik. Uji i pijshëm do të përftohet nga një fabrikë për shkripëzimin e ujit të detit.
Po ashtu reaktorët binjakë të centralit atomik lundrues pritet të furnizojnë me energji elektrike deri në 200,000 vetë që jetojnë në qytetin port të Siberisë, në Pevek.
Rëndësi strategjike
Centrali atomik lundrues “Akademik Lomonsov” ka për Rusinë rëndësi strategjike. Rusia synon të sigurojë rezervat e naftës dhe të gazit që supozohen në rajonin e Polit të Veriut. Po ashtu për shkak të shkrirjes së akullit vitet e fundit si pasojë e ngrohjes globale, për Rusinë hapen rrugë dhe itinerare të reja detare në veri të vendit. Pëk këtë shkak Rusia po shton praninë ushtarake në këtë zonë. Edhe SHBA-ja është e interesuar për zonën e Arktikut.
Çernobili i ardhshëm?
Ambientalistët e kritikuan ashpër centralin atomik lundrues dhe thanë se një aksident i tij mund të dëmtojë pjesë të Arktikut. Greenpeace e quajti atë “Çernobil lundrues”.
Duke iu referuar katastrofës bërthamore të vitit 1986 në centralin e Çernobilit në Ukrainë, që në atë kohë ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik, ambientalistët u shprehën për një “Çernobil në akull”. Aksidenti më i madh bërthamor në histori shkaktoi asokohe një evakuim masiv dhe i bëri të pabanueshme pjesë të tëra të Ukrainës dhe të Bjellorusisë fqinjë./DW