Patriarku Kirill takon Ramën: Keni ndryshuar Tiranën kur ishit kryebashkiak
Gjatë paradites së sotme, kryeministri Rama ka pritur Patriarkun e Moskës dhe gjithë Rusisë, Shenjtërinë e tij Kirill, me rastin e vizitës historike në vendin tonë.
Patriarku Kirill ka vizituar Tiranë 15 vjet më parë. Gjatë vizitës së tij të atëherëshme patriarku rus është shprehur se “çështjet estetike luajnë rol të madh në jetën e njeriut”, duke ju referuar ndryshimeve që kishte pësuar Tirana e kohës, kur kryebashkiak ishte z. Rama.
Kryeministri Rama tha se vizita e tij përkon me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale shqiptare. “
Më vjen mirë që vizita juaj përkon dhe me 110 vjetorin e kishës autoqefale shqiptare, kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, imzot Fan Noli u shugurua prift nga peshkopi rus i Nju Jorkut. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit. Më thatë që jeni të impresionuar nga ndryshimet e mëdha të Tiranës, shpresoj të largoheni nga Shqipëria me një përshtypje sa më të mirë”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama i dhuroi më pas Patriarkut të Moskës dhe gjithë Rusisë një statujë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke e quajtur Aleksandri i Madh i Shqipërisë, me shpresën se Patriarku Kirill do e mbante në zyrën e tij.
Në këtë takim patriarku rus shoqërohej nga Kryepeshkopi Anastas. Para këtij takimi, Patriarku rus Kirill zhvilloi një bisedë me kreun e shtetit, Ilir Meta, në Presidencë.