Kosova ofron mundësi për biznesmenët arabë, kërkon investim në projektin e Brezovicës
Turizmi, minierat dhe bujqësia janë vetëm disa nga fushat në të cilat, zv. kryeministri Enver Hoxhaj së bashku me klubet e ndryshme të biznesit në Kosovë, po synojnë të tërheqin investimet e huaja, sidomos nga Arabia Saudite, raporton EkonomiaOnline.
Investimi i mundshëm në kompleksin turistik “Brezovica” është vetëm një nga projektet që qeveria e Kosovës po synon të arrijë bashkëpunim me biznesmenë nga Arabia Saudite.
Pas Forumit të Biznesit me ndërmarrës arabë, zv. kryeministri Hoxhaj tha se janë duke u përpjekur që Kosovën dhe prodhimet e saj ta bëjnë më të hapur ndaj botës dhe investitorëve të huaj.
“Sa i takon fushave ne jemi të hapur të kemi investime në fushën e turizmit me që jemi prej vendeve më të bukura që ka rajoni, sidomos nëse e kemi parasysh turizmin malor”.
“Janë edhe projektet e tilla si Brezovica e të tjera ku do të mund të gjenim investitorë të fuqishëm arabë që do të jepnin një dimension tjetër, fushë tjetër ka të bëjë edhe me fushat e tjera si të minierave dhe të mineraleve, Arabia Saudite ka nevojë për çelik meqë ka ndërtim të shpejtë dhe të shumtë sikurse edhe në fushën e bujqësisë…”, tha Hoxhaj.
Sipas tij, plasimi i Kosovës në vendet e tjera të botës do të ndikojë në zhvillimin ekonomik si dhe në rritjen e vendeve të punës.
“Ne si qeveri jemi të vendosur që të ketë një hapje të Kosovës ndaj investitorëve të huaj. Ajo për çka ka nevojë vendi është zhvillim ekonomik, vende të reja të punës rritje ekonomike dhe kjo mund të ndodh kur ekonomia jonë shoqëria jonë është e hapur ndaj botës dhe e hapur ndaj investitorëve të cilët do të duhet të vijnë të investonin në Kosovë”.
Për të shikuar mundësitë e investimit në Kosovë, nga Arabia ka ardhur presidenti i kompanisë “Mubadara”, Khalid Abdulrahman AL Othman.
Ai tha se takimi me biznesmenët kosovarë është inkurajues për investim të mundshëm të bizneseve arabe në Kosovë.
Bashkëpunimin e mundshëm mes bizneseve arabe me ato kosovare e mirëpritën biznesmenët pjesëmarrës në këtë forum.
Astrit Shabani nga kompania Plastika tha se investimet e huaja në Kosovë janë të rëndësishme për prodhuesit e për kosovarët në përgjithësi.
“Është diçka shume e mirë…vlen të ceket për iniciatorët e këtij takimi se forumi është një ide shume e shkëlqyer dhe është shumë e rëndësishëm për prodhuesit”, tha Shabani.
Se janë të gatshëm për të bashkëpunuar me investitorët nga Arabia Saudite e tha edhe Shaqir Palushi, nga Kompania Fruteks.
Ai madje takimet e tilla me biznesmenë arabë i vlerësoj si një ndër takimet me të rëndësishme të organizuara ndonjëherë.
“Konsideroj një ndër takimet më të rëndësishme dhe ne si kompani dhe kolegët e tjerë kemi shpalos atë çka mundemi të ofrojmë”, tha Palushi.
“…jemi të gatshëm për bashkëfinancim të projekteve sidomos në sektorin e agrobiznesit”, përfundoi ai.
Përfaqësues të odave të bizneseve, klubeve të prodhuesve e të bizneseve private nga Arabia Saudite do të qëndrojnë edhe për disa ditë në Kosovë, me ç`rast do të vizitojnë disa nga bizneset kosovare dhe do të njoftohen për së afërmi me mundësitë që prodhuesit nga Kosova ofrojnë për ata nga Arabia./EO