AktualitetBota+Të fundit

Doganat ndëshkuese amerikane: Ora po afron

Më 1 Maj pritet që SHBA të kërkojë dogana të larta për çelikun dhe aluminin e importuar. Deri më tani duket se ato do të vendosen. Çfarë do të thotë kjo për Gjermaninë?

Do t’i vendosë presidenti amerikan, Donald Trump doganat apo jo? Trump po i bën të dridhen europianët deri në minutën e fundit. Në grindjen për futjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin e importuar nga Europa, Trump ofroi një afat negociimi deri në 1 Maj. A do ta zgjasë ai këtë afat? Apo do t’i përjashtojë përfundimisht europianët nga doganat apo do t’i vendosë ato?

Për BE dhe Gjermaninë do të ishte një goditje e fortë. 25% doganë për çelikun dhe 10% për aluminin. BE është prodhuesi i dytë më i madh në botë i çelikut – 177 milionë tonë çelik prodhohen në vit. Gjermania ka SHBA si eksportuesin kryesor. Pas kësaj renditen Holanda, Italia, Spanja, Britania e Madhe e Suedia.

Bëhet fjalë për miliarda

Sipas të dhënave të KE në vitin 2017 u eksportuan produkte të çelikut në vlerë prej 14 miliardë eurosh. 14% e të gjitha importeve të SHBA-së. Doganat e paralajmëruara nuk do të prekin të gjitha produktet. Më shumë do të preken produktet e çelikut, 5,3 miliardë euro dhe për aluminin 1,1 miliardë euro.

Trump i argumenton doganat me tepricat tregare europiane, sidomos ato gjermane. SHBA janë për Gjermaninë tregu më i madh i eksporteve. Përkundër kësaj nuk shiten shumë mallra amerikane në Europë. “Kemi një deficit tregtar me BE në vlerë, vështirë ta besosh, 151 miliardë dollarë”, përsërit Donald trump. 50 miliardë në këtë shumë përbëjnë automjeteve dhe pjesët e këmbimit të tyre.

Më e komplikuar se mendohet

Automjetet gjermane janë të kërkuara në SHBA. 480.000 automjete në vit shiten në SHBA. Por prodhuesit gjermanë prodhojnë edhe në SHBA, e më shumë se sa importohet nga Gjermania në SHBA. 493.000 automjete gjermane në vit bëhen gati për eksport në Kinë. Me këtë punëdhënësit gjermanë ofrojnë dhe sigurojnë mjaft vende pune në SHBA. Drejtuesi i ifo-Zentrums për tregtinë me jashtë, Gabriel Felbermayer thotë këto vende pune rrezikohen me doganat e reja. “Po qe se amerikanët prodhojnë automjete, psh BMW në Spartanburg, për këtë ata kanë nevojë për mjaft komponentë, që vijnë nga Europa, dhe kur Trump kërcënon të vendosë dogana mbi këto, ai kërcënon apo shkatërron njëkohësisht edhe aftësinë konkurruese të prodhuesve amerikanë të automjeteve”; thotë ekonomisti.

USA Washington - Donald Trump verhängt Strafzölle gegen China (Reuters/J. Ernst) Donald Trump vendosi doganat ndëshkuese në mars, por i përjashtoi europianët deri më 1 Maj.

Të gjithë do të goditeshin

Në Gjermani çdo i katërti vend pune varet nga eksporti, në industrinë gjermane gati çdo i dyti. Më shumë se 50% e eksporteve gjermane lidhen me industrinë e përpunimit apo prodhimit të çelikut. Nuk ka çudi që Merkel ndërmori edhe një herë një përpjekje për të bindur Trumpin. Por ai nuk tha asgjë të qartë, se si do të vendosë.

Të premten Merkel telefonoi me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe kryeministren britanike, Theresa May. Të tre kërkuan

edhe njëherë nga presidenti Trump të përjashtojë europianët nga masat tregtare kundër BE. Ndryshe edhe BE “është e gatshme të mbrojë interesat e saj në kuadër të rendit tregtar multulateral” tha zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.

Produktet amerikane që shtrenjtohen

Në Bruksel janë bërë përgatitje për rastin më të keq. BE do të drejtohet me ankesë tek Organizata Botërore e Tregtisë. BE do të kishte 90 ditë kohë për “ribalancim”, pra për kundërmasat e saj. Importet nga SHBA do të shtrenjtoheshin, që të kompensohej dëmi që i shkaktohet industrisë europiane.

Me doganat për whiskey-n apo motorët e markës Harley Davidson janë zgjedhur produkte që prodhohen në shtetet federale amerikane që qeverisen nga republikanët. Synimi është që guvernatorët e këtyre vendeve të bindin presidentin amerikan për të mos vendosur dogana.

A ka tregtia e lirë ndonjë shans?

Në rast se grindja për tregtinë shkallëzohet, kjo nuk do të thotë se merr fund tregtia e lirë. Bisedimet në prapaskenë do të vazhdojnë. “Në rast se ndodh kështu, do të vazhdojmë të punojmë në këtë çështje”, thuhet nga zyra e kancelares. Nga pala gjermane ka përpjekje për të risjellë në tryezën e bisedimeve edhe një herë marrëveshjen e tregtisë së lirë, TTIP, por në një variant më të holluar. Mund të flitet në një kuadër më të madh për reduktimin e doganave dhe barrierave tregtare. Por sipërmarrësit nuk janë aq entuziastë për këtë. Presidenti i Shoqatës Gjermane të Industrisë, BDI, Dieter Kempf nuk është ndonjë përkrahës i madh i një marrëveshjeje për doganat. “Për industrinë gjermane kjo është shumë pak”, ka thënë ai.

Sabine Kinkartz/DW